Mediat prestigjioze ndërkombëtare raportojnë për zgjedhjet në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Mediat prestigjioze ndërkombëtare raportojnë për zgjedhjet në Kosovë

Aktuale February 09, 2025 - 20:04

Zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën në Kosovë kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, duke u fokusuar në sfidat ekonomike dhe politike të vendit. Mediat ndërkombëtare, përfshirë agjencitë e njohura si Associated Press dhe Reuters, kanë pasqyruar zgjedhjet si një provë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.

“Kosovarët votuan të dielën në zgjedhjet parlamentare, ku partitë kryesore premtojnë rritje të pagave dhe pensioneve publike, përmirësimin e shërbimeve të arsimit dhe shëndetësisë, dhe luftën kundër varfërisë", ka shkruar agjencia e lajmeve Associated Press.

Sipas Associated Press, "ndihmat ndërkombëtare për Kosovën po pakësohen dhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë janë bllokuar".

Ndërkohë edhe agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters, ka raportuar mbi zgjedhjet parlamentare që po mbahen në Kosovë, ku mes tjerash ka përmendur edhe faktin se janë shqiptuar më shumë se 650,000 euro gjoba për partitë politike në këtë fushatë.

Agjencia gjithashtu ka përmendur se në vitin 2023, Bashkimi Evropian vendosi kufizime ekonomike ndaj Kosovës për shkak të tensioneve me serbët etnikë, duke reduktuar financimet me të paktën 150 milionë euro.

Ndërsa "The Guardian" duke raportuar për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, ka theksuar se ky mund të jetë "një moment kyç në historinë e vendit dhe një mundësi për të përcaktuar integritetin e territorial në një botë gjithnjë e më të tensionuar".

E përditshmja britanike “The Guardian” ka folur edhe për ndikimin që kthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë mund ta ketë për Kosovën. “Kosova po voton teksa hija e Trumpit shkakton brenga”, shkruan “The Guardian”.

"Kosova voton në zgjedhje parlamentare të mjegulluara nga tensionet me Serbinë", ka shkruar media franceze “France24”.

Media ka potencuar se kosovarët po votojnë zgjedhje parlamentare që mund të përcaktojnë kush do të udhëheqë ekipin e Kosovës në negociatat me Serbinë, të cilat janë bllokuar vitin e kaluar.

Votimin e së dielës si një test të rëndësishëm për Kosovën e ka cilësuar edhe Al Jazeera, duke theksuar se këto zgjedhje përcaktojnë se "kush do të udhëheqë negociatat e bllokuara të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë". /rtk