![AIP-ja thirrje partive që të mbrohen të dhënat personale të qytetarëve](/uploads/zeri.info/images/2025/January/29/auto_KQZ-shorti_per_renditjen_e_subjekteve_politike_te_certifikuara_per_zgjedhjet_e_9_shkurtit-6_janar_2025b-Laura_Hasani_copy1738150714.jpg)
AIP-ja thirrje partive që të mbrohen të dhënat personale të qytetarëve
Agjencia për Informim dhe Privatësi sërish u ka bërë thirrje partive politike që të mbrojnë të dhënat personale të qytetarëve në komunikimet nëpërmjet postës elektronike, mesazhet dhe thirrjet telefonike, pa pëlqim paraprak.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), në përmbushje të mandatit të saj ligjor për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, përsërit kërkesën drejtuar Partive Politike në Kosovë për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e datës 9 shkurt 2025”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e kësaj agjencie drejtuar partive politike.
Agjencia ka kërkuar nga partitë zbatimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve duke mos përdorur dhe ekspozuar të dhënat personale.
Kjo agjenci ka ofruar bashkëpunim me të gjitha subjektet politike për të siguruar respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe bën thirrje që çdo informacion personal i mbledhur gjatë procesit të regjistrimit të votuesve, për realizimin e komunikimit me qytetarët gjatë aktiviteteve të fushatës zgjedhore të përdoret në përputhje me kërkesat ligjore.