“Handikos” me letër zotimi për kandidatët për kryeministër, ja kërkesat
Organizata “Handikos” ka dërguar një letër zotimi te kandidatët për kryeministër të të gjitha subjekteve politike, duke kërkuar angazhim për përmirësimin e kushteve të jetesës për personat me aftësi të kufizuara.
Disa nga kërkesat më urgjente përfshijnë ndryshime në ligjin për ndërtim për qasshmërinë, nxjerrjen e aktit nënligjor për rehabilitimin e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe lirimin nga taksat për automjetet e përshtatura.
“Handikos” me anë të një postimi në Facebook ka shprehur shqetësim se asnjë kandidat nuk ka parashtruar masa konkrete për këtë kategori në platformat e tyre qeverisëse. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2024, në Kosovë jetojnë 337.859 persona me vështirësi afatgjata.
Organizata apelon për më shumë angazhim dhe respektim të të drejtave të kësaj kategorie, duke kërkuar trajtim të barabartë dhe mundësi integrimi të plotë.