![Bislimi akuzon Serbinë se po e pengon Qeverinë e Kosovës t’i përkrah shqiparët në Luginë](/uploads/zeri.info/images/2024/November/05/auto_Besnik_Bislimi-konf-9_tetor_2024b-Laura_Hasani1730799870.jpg)
Bislimi akuzon Serbinë se po e pengon Qeverinë e Kosovës t’i përkrah shqiparët në Luginë
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka akuzuar Serbinë se po tenton të bllokojë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
E sipas tij, Serbia po e bën këtë përmes bllokimit të funksionalizimit të Këshillit Kombëtar Shqipar, pra me refuzimin e regjistrimit të kryetarit të ri, shkruan Zeri.info.
Bislimi këto gjëra i konsideroi si ndërhyrje politike e shkelje të të drejtave të shqiptarëve duke theksuar se këto veprime të shtetit serb janë pjesë e një strategjie të vazhdueshme për të diskriminuar shqiptarët e Luginës.
“Ndihma e Kosovës për shqiptarët e Luginës është legjitime gjersa fondet përveçse janë transparente, përbëjnë dhe mbështetje të drejtë e të nevojshme. Ndërsa bllokada ndaj funksionimit të KKSh-së, është veprim që nuk ka asnjë bazë ligjore dhe është një ndërhyrje politike me qëllim që Këshilli të mbetet jofunksional dhe i pafuqishëm për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve. Kjo është një përpjekje e hapur për të kontrolluar institucionet shqiptare dhe për të shuar çdo zë të pavarur që kundërshton politikat diskriminuese të Serbisë. Serbia dëshiron që shqiptarët të mos kenë zë dhe përfaqësim. Nuk do të qëndrojmë indiferentë përballë këtyre shkeljeve”, u shpreh zëvendëskryeministri në një postim në Facebook.
Pavarësisht vështirësive dhe pengesave, Bislimi theksoi se Qeveria e Kosovës nuk do të rresht së përkrahuri shqiptarët e Luginës.
“Qeveria e Kosovës nuk do të ndalë së përkrahuri shqiptarët e Luginës, pavarësisht pengesave nga ana e Serbisë, por përkundrazi do e rrisim mbështetjen vit për vit, ashtu siç edhe kemi bërë gjatë këtij mandati. Gjithashtu edhe komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë vigjilent ndaj këtyre zhvillimeve, e tentativave të radhës për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve nga regjimi shtypës serb”, thuhet ndër tjera. /Zëri