Vuçiqi dhe Dodiku bisedojnë në Beograd për “të ardhmen e Serbisë dhe Republikës Sërpska”
Foto: AP

Vuçiqi dhe Dodiku bisedojnë në Beograd për “të ardhmen e Serbisë dhe Republikës Sërpska”

Aktuale February 04, 2025 - 13:42

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe presidenti i entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, Millorad Dodik, janë takuar të martën në Beograd.

Vuçiqi tha se takim kishte "rëndësi thelbësore për çështjet kyç për popullin serb dhe për të ardhmen e Serbisë dhe Republikës Sërpska".

“Qëllimi ynë i përbashkët është ta ruajmë paqen dhe stabilitetin, ta vazhdojmë dhe forcojmë rritjen ekonomike dhe t’i mbrojmë interesat kombëtare të Serbisë dhe të Republikës Sërpska”, shkroi Vuçiqi në Instagram.

Ai po ashtu ka theksuar se gjatë takimit është diskutuar për festën e Sretenjës, e cila mbahet më 15 shkurt.

Më 8 qershor 2024, Qeveria e Serbisë dhe ajo e Republikës Sërpska e miratuan në një takim të përbashkët një të ashtuquajtur Deklaratë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmërisë së përbashkët të popullit serb.

Në dokument, ndër të tjera, thuhet se 15 shkurti është Dita e Shtetësisë së Serbisë dhe Dita e Shtetësisë së Republikës Sërpska, të cilat duhet të festohen së bashku.

Miratimi i këtij dokumenti u dënua nga anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviq dhe Zheljko Komshiq, si dhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Millorad Dodik është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe pretendimet e tij për ndarjen e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, që i ka dhënë fund luftës në Bosnjë e Hercegovinë, ky vend është ndarë në dy entitete autonome - Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska - plus Qarku i Bërçkos, që është njësi administrative vetëqeverisëse.

Të gjithë bashkë janë nën ombrellën e qeverisë federale dhe presidencës me rotacion. /Rel