Kërkohet angazhim i gjithanshëm për të luftuar kancerin
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka thënë së në dy vjetët e fundit ka rritje të vogël me të sëmurët me kancer. Sipas tij, te pacientët dominon kanceri i gjirit.
Kurtishi ka thënë se vitet 2023 dhe 2024 në Klinikë kanë identifikuar me kancer 2 mijë e 100 raste. Sipas tij, nëse bëhet krahasimi i vitit 2023 me vitin 2024 janë identifikuar 2-3% më shumë raste të kancerit.
Ai në RTK tha se “këto të dhëna në disa raste nuk përkojnë me të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, të cilët marrin informata prej qendrave ose spitaleve private dhe rajonale, mirëpo është duke u bërë një harmonizimi i këtyre të dhënave”.
Kurtishi po ashtu theksoi se shihet që dominon kanceri gjirit dhe është në rritje, meqenëse në vitin 2023 ka pasur 453 persona të sëmurë, kurse në vitin 2024 ky numër është 475.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë tha se shihet një trend i rritjes të sëmundjeve malinjë.
“Trendi i rritjes të sëmundjeve malinjë është në gjithë botën edhe në vendet e zhvilluar kjo është më e shprehur meqenëse bëjnë ekzaminime më të shpeshta. Kanë programe me të cilin i zbulojnë sëmundjet dhe i trajtojnë shumë më mirë sepse sëmundja gjendet në stadet fillestare për dallim prej ne ku ne gjejmë sëmundjet në stade pak më të avancuara edhe pse kjo ka ndërruar në tre katër vitet e fundit. Ne sot kemi mbi 55% të rasteve shembull sëmundjet e gjirit që i identifikojmë në stadin e parë e të dytë, kurse rreth 45% në stadin e tretë e të katër”, pohoi Kurtishi.
Krejt kjo, sipas tij, është bërë me vetëdijesim, kampanja gjatë muajit tetor dhe muajve tjerë, nga njerëz të vullnetit të mirë e shoqata të ndryshme civile që merren me vetëdijesim të kancerit të gjirit.
Mirëpo, Kurtishi tha se kjo nuk mjafton duhet të bëhet në mënyrë protokollare, institucionale në mënyrë që sëmundjen malinjë të kenë një kahje edhe më të mirë se që e kanë sot.
Ndryshe, 4 Shkurti është Dita Botërore e Kancerit, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin për kancerin dhe për të inkurajuar parandalimin, zbulimin dhe trajtimin e tij.