Frikë se do t’i shembet ndërtesa mbi shtëpi, komuna e Lipjanit e AKP pa veprime

Frikë se do t’i shembet ndërtesa mbi shtëpi, komuna e Lipjanit e AKP pa veprime

Aktuale February 03, 2025 - 18:39

Pas dy vitesh kërkesash në Komunën e Lipjanit e në AKP, banori i fshatit Magurë të Lipjanit Liridon Tërshani i është drejtuar redaksisë me shqetësime rreth një objekti thuajse të shembur afër shtëpisë së tij. Pas rastit të fundit në Gjakovë, shqetësimi i tij rreth mirëqenies së familjes e ka bërë më shqetësues prezencën dhe neglizhencën ndaj këtij objekti. Kryetari i komunës, Imri Ahmeti nuk ka marr përgjegjësi ndërsa AKP-ja ka kërkuar informacione shtesë

Tullat e pjesë të objektin po bien dita-ditës e Liridon Tërshani është i frikësuar se do t’i rrënohet i gjithë objekti.

Këtë objekt të pabanuar e thuajse të rrënuar, Tërshani e ka ngjitur me shtëpinë e tij.

Ndonëse thotë se ka vite që troket në dyert e institucioneve, shqetësuese çështja e saj u bë edhe më shumë pas rastit të fundit në Gjakovë.

Liridon Tërshani, banor në Magurë tha se “Për rastin në Gjakovë u shprehi ngushëllime. Të njëjtin rast e kam para shtëpisë time. Është tejet i dëmtuar dhe kam bërë kërkesë në komunë për ta prishur. Çdo ditë ka një tullë bjen. Ish shkollën e mesme këtu e ka rrënuar komuna, për atë ka jep leje AKP por për këtë thotë se nuk po na jep leje. Isha në AKP, qe dy vjet po zvarritem komunë-AKP. AKP thotë se komuna s’po kërkon leje e komuna thotë se nuk po na e jep. Unë nuk e di. Kam tre fëmijë. Po i gjeti diçka nesër, kush më jep përgjegjësi”.

Ndonëse në këtë gjendje, objekti frekuentohet nga të rinj e kjo ka bërë që shpeshherë, Tërshani të bëjë përpjekje për ta rrënuar vet.

Liridon Tërshani, banor në Magurë deklaroi se “Vijnë fëmijët e shkollës, hynë brenda, pijnë cigare. Është rrezik se mundet me i zanë, askush s’mundet t’i ndalojë. Kur qëlloj këtu iu bërtas por kur s’jam vijnë.  Vet më ka shkuar mendja t’a rrënojë por s’po më japin leje me rrënu. Jam mbet në mishrën e zotit dhe tuajën se ç’ka po ndodhë. I bëjë thirrje komunës, le t’i hap sytë e le të merr masa. Le të kërkojë leje prej AKP-së. Edhe AKP le të marrë masa se nesër me ndodhë diçka, për ngushëllime nuk kanë nevojë të vijnë, nuk i pranojë”.

E përgjegjësi për këtë nuk ka ndërmarr komuna.

IMRI AHMETI, Kryetar i Lipjanit tha “Është kohë fushate, po merreni me çështje propaganduese. S’kemi pranuar ankesa, s’është çështje e komunës.

Televizioni ka pyetur edhe AKP-në rreth çështjes por e njëjta ka thënë se i duhen informacione shtesë meqenëse me emrin dhe mbiemrin e banorit nuk kanë ndonjë ankesë.

Të dielën, 3 fëmijë kanë vdekur në Jabllanicë të Gjakovës si pasojë e shembjes së një shtëpie të pabanuar. /dukagjini