Grenelli kritikon Kurtin, thotë se është kundër çdo ideje të SHBA-së
Foto: Laura Hasani

Grenelli kritikon Kurtin, thotë se është kundër çdo ideje të SHBA-së

Aktuale February 03, 2025 - 15:45

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë gjithë qeverisjes së tij ka pranuar kritika të shumta në lidhje me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mirëpo, sipas tij, këto marrëdhënie nuk kanë qenë kurrë më të mira sesa tani, shkruan Zeri.info.

Por, njëjtë nuk mendon emisari presidencial për Misione të Posaçme, Richard Grenell, i cili u shpreh se qeveria “Kurti” nuk ishte e besueshme.

Sipas tij, Kurti në vazhdimësi është kritikuar për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme për destabilizimin e rajonit.

“Administrata ‘Trump’ ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë drejt paqes për të gjithë në Ballkan. Por ne kemi nevojë për partnerë të besueshëm.

Qeveria ‘Kurti’ nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trumpit, as gjatë mandatit të Bidenit. Si republikanët, ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO-ja. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, u shpreh ai në një postim në platformën “X”.

Grenelli përmendi edhe faktin se kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri e Serbi, por kjo gjë nuk po ndodh në Kosovë.

“Kurti ka qenë gjithashtu kundër çdo ideje të SHBA-së të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se ai është i afërt me SHBA-në dhe më i mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni”, thuhet ndër të tjera. /Zëri