Kompania “Pastrimi” reagon ndaj Ramës: Po bën kaos për t’ua dhënë tenderët miqve të tij
Foto: Laura Hasani

Kompania “Pastrimi” reagon ndaj Ramës: Po bën kaos për t’ua dhënë tenderët miqve të tij

Aktuale February 03, 2025 - 14:03

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, sot në një konferencë për media ka folur për përkeqësimin e gjendjes me mbeturina, madje ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

Ai akuzoi kompaninë rajonale publike “Pastrimi” për menaxhim jo të duhur të mbeturinave, shkruan Zeri.info.

Ndaj kësaj akuze ka reaguar vetë kompania “Pastrimi”, e cila ka hedhur fajin te kryetari Rama, duke thënë se neglizhenca e tij ka sjellë Prishtinën në këtë situatë.

Madje në reagimin e tyre thuhet se Rama po manipulon me çështjen e mbeturinave në mënyrë që tenderët t’ua japë miqve të tij, duke aluduar se ai ka kërkuar nga disa punëtorë të kësaj kompanie që ta sabotojnë shërbimin vetëm për të krijuar kaos.

“Deri sot në orën 9:00 të mëngjesit Rama nuk na kishte dorëzuar as kamionët dhe kontejnerët e blerë, as dokumentet e tyre për regjistrim. Vetëm pak para konferencës, rreth orës 9:00, ai dorëzoi disa prej tyre, por jo të gjithë, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme. Ky është një tjetër tregues i qartë i manovrave për të bllokuar shërbimet publike dhe për të krijuar kaos të qëllimshëm”, thuhet ndër të tjera.

Kjo kompani ka thënë se me gjithë këtë situatë, po punohet në vazhdimësi për ta pastruar kryeqytetin.

“Për ta bërë më të qartë për gjithë qytetarët, po duket se është duke u përgatitur e njëjta skemë siç është përdorur në shkurtin e vitit 2024, ku është negociuar kompania private, e cila duket se mund të jetë përsëri e njëjta. Përmes këtyre veprimeve të kundërligjshme fillimisht u fut në lojë një kompani private, pastaj u hap një tender i ndarë në pesë llote në vlerë 16.5 milionë eurove, me kritere të përgatitura sipas qejfit për të favorizuar emrat e dëshiruar. Ky tender përfundoi i bllokuar në OSHP, duke dëshmuar manipulimin e procesit, favorizimet të operatorëve të caktuar, si dhe tendencën për të përjashtuar dhe falimentuar KRM ‘Pastrimin’”, thuhet në reagim. /Zëri