![Moti për pesë ditët e ardhshme i ftohtë, ngrica e mjegull](/uploads/zeri.info/images/2024/September/15/auto_auto_auto_auto_auto_auto_auto_MOTI1462093167_1164680973816693584271670051082167264234717109164071726379323.jpg)
Moti për pesë ditët e ardhshme i ftohtë, ngrica e mjegull
Java e ardhshme do të karakterizohet me mot relativisht të ftohtë.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se në orët e mëngjesit, temperaturat do të jenë të ulëta, me prani të ngricave dhe mjegullës në shumë zona.
Gjatë mesditës, vlerat termike pritet të jenë kryesisht pozitive, por ndjesia e të ftohtit do të mbetet e pranishme për shkak të erës nga veriu dhe veriperëndimi, e cila do të mbizotërojë gjatë gjithë javës.
“Duke pasur parasysh prezencën e mjegullës, qytetarët këshillohen të shmangin daljet e panevojshme, veçanërisht në orët e para të ditës dhe gjatë mbrëmjes, pasi cilësia e ajrit mund të jetë e dobët. Po ashtu, drejtuesit e automjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar në rrugë, sidomos në zonat me lagështi, ku ekziston mundësia e krijimit të shtresave të akullit, duke e bërë qarkullimin më të vështirë dhe të rrezikshëm”.
Sa i përket reshjeve, kjo javë nuk pritet të sjellë sasi të konsiderueshme shiu apo dëbore, përveç ndonjë rige të dobët në disa zona të izoluara.
Qytetarët këshillohen të ndjekin përditësimet e motit dhe të marrin masat e nevojshme për t’u përshtatur me kushtet atmosferike.