Përmbytjet në Durrës, disa shtëpi ende nën ujë, verifikohen dëmet

Përmbytjet në Durrës, disa shtëpi ende nën ujë, verifikohen dëmet

Aktuale February 02, 2025 - 15:44

Në Durrës grupet e bashkisë kanë nisur verifikimin e dëmeve në banesat dhe bizneset që u prekën nga përmbytjet.

Mësohet se deri më tani janë evidentuar pasojat në mbi 270 shtëpi ndërsa disa prej tyre gjenden ende nën ujë.

Edhe pse reshjet e shiut janë ndërprerë prej ditësh, në Durrës disa banesa gjenden ende nën ujë. Banorët, të cilët jetojnë prej vitesh në këtë lagje të qytetit bregdetar thonë se është e para herë që përmbyten.

Për evidentimin e dëmeve në terren kanë dalë rreth 13 grupe inspektimi. Nga vlerësimi paraprak i pasojave banorët kanë mbetur të kënaqur ndërsa shpresojnë që dëmshpërblimin ta marrin pa vonesa e burokraci.

Sipas të dhënave nga Bashkia e Durrësit grupet e inspektimit kanë verifikuar dëmet në mbi 270 shtëpi ndërsa puna do të vijojë edhe në ditët e ardhshme. /a2cnn