Vdes ish-presidenti i Gjermanisë, Horst Köhler
Ish-presidenti gjerman Horst Köhler ka ndërruar jetë. Ai vdiq në moshën 81-vjeçare, siç njoftoi Presidenca Federale e Gjermanisë. Köhler ishte kreu i shtetit gjerman nga viti 2004 deri në 2010.
Ish-presidenti Horst Köhler ndërroi jetë herët në mëngjes në moshën 81-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë dhe të shkurtër, njoftoi Presidenca Federale në Berlin. Köhler u zgjodh kreu i shtetit më 23 maj 2004 dhe u konfirmua në detyrë pesë vjet më vonë. Më 31 maj 2010, ai dha dorëheqjen në mënyrë të papritur.
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier e vlerësoi të ndjerin në një letër ngushëllimi drejtuar bashkëshortes së tij, Eva Luise Köhler, duke e cilësuar atë si "një fat të madh për vendin tonë". Ai theksoi: "Mund të jemi vetëm thellësisht mirënjohës që patëm mundësinë ta përjetonim Horst Köhlerin si presidentin e nëntë të Republikës Federale të Gjermanisë. Ai i ka dhënë shumë këtij vendi."
Ambasda e Gjermanisë në Prishtinë ka njoftuar për vdekjen e ish-presidentit gjerman, Horst Kohler, i cili ka qenë në detyrë përgjatë kohës kur Kosova e ka shpallur pavarësinë.
"Jemi të pikëlluar për ndarjen nga jeta të ish-presidentit gjerman Horst Köhler. Gjatë kohës së tij në detyrë, Gjermania dëshmoi momente kyçe në histori—përfshirë pavarësinë e Kosovës në vitin 2008. Lidershipi, vizioni dhe përkushtimi i tij ndaj Gjermanisë dhe komunitetit ndërkombëtar nuk do të harrohen”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.