Nimani hedh dyshime për rrugëtimin politik të Kurtit: Veprimet e tij të çojnë në dëm të interesave kombëtare
Kandidati për deputet nga koalicioni për Kosovën Fituese, Artan Nimani, ka thënë për Ekonomia Online se pritjet e qytetarëve për këtë koalicion janë të mëdha, andaj e po marrin përkrahje për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Nimani ka thënë se gjendja e rëndë ekonomike dhe mungesa e investimeve kapitale, janë shqetësimet që më së shumti i dëgjojnë nga qytetarët. Dyshime ka edhe për rrugëtimin politik të kryeministrit Albin Kurti si dhe mbështetjen që sipas tij u jep partive proruse në rajon.
Profesori universitar ka treguar edhe për programin e tyre qeverisës, me theks të veçantë anëtarësimin direkt në NATO.
“Ne fushatën elektorale jemi duke e vazhduar jashtëzakonisht mirë. Pritjet tona janë tejkaluar në të gjitha parametrat dhe ne siç e kemi thënë në fillim të fushatës se do të jetë befasia më e mirë e këtyre zgjedhjeve koalicioni ynë. Një grupim i forcave politike të cilat në plan të parë e kanë idealet kombëtare dhe pastaj edhe zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale dhe sigurinë e Kosovës, duke synuar anëtarësimin direkt në NATO, përmes një plani aksional. Të gjitha takimet ku po shkojmë, kemi një dëshirë të jashtëzakonshme të qytetarëve për të dëgjuar ofertën tonë konkrete zgjedhore dhe jam i bindur që do të jemi befasia më e mirë e këtyre”, u shpreh Nimani për Ekonomia Online.
Nimani që mban numrin 25 në listën e kandidatëve për deputet, ka thënë se gjendja e rëndë ekonomike e mungesa e investimeve kapitale, janë ankesat që më së shumti i marrin nga qytetarët.
Ai ka treguar edhe për shqetësimet që marrin nga qytetarët në takimet elektorale. Sipas tij, gjendja e rëndë ekonomike dhe mungesa e investimeve kapitale, sidomos në rajonin e Dukagjinit, janë shqetësimet që më së shumti i dëgjojnë nga ta.
“Shqetësimet që marrim nga qytetarët e Kosovës është gjendja e vështirë ekonomike, degradimi i çdo pori të jetës, mungesa e investimeve në infrastrukturë, posaçërisht te pjesa ku vij unë rajoni i Dukagjinit, ku ky rajon është eliminuar nga harta e investimeve të Qeverisë, edhe ato projektet të cilat ishin të planifikuara e të buxhetuara dhe të kontraktuara nga kompanitë e caktuara, janë ndërprerë nga kjo qeveri. Qytetarët e kanë problem mbijetesën, e kanë problem migrimin masiv, e kanë problem shkollimin e edukimin dhe sistemin shëndetësor”, u shpreh Nimani, teksa ka thënë se qytetarët nuk kanë atdhe të dytë “siç pretendon për kryeministrin Albin Kurti”.
“Problemi që zakonisht e ngrisin qytetarët tanë është se ata dhe ne nuk kemi një atdhe të dytë, nuk kemi një shkollë e spital të dytë, apo edhe një vend tjetër ku ne rrisim, edukojmë e i shërojmë fëmijët dhe prindërit tanë. Dikush që sot del nëpër fushata elektorale, që nuk e ka bash asnjë gjë në Kosovë, përpos të mirave që i shfrytëzon dhe infrastrukturën që e shfrytëzon nga paraardhësit e tij, njeriu i cili as pronë nuk ka në Kosovë dhe as familjen nuk e ka në Kosovë e as fëmijët e tij nuk ia beson sistemit arsimor në Kosovë. Nuk dua t’ia përmend emrin sepse është e neveritshme ajo çka z. Kurti është duke bërë në fushatën elektorale. Është e neveritshme për shkak se nuk ka parë sistemi politik në Kosovë që nga paslufta një gjendje të tillë, një katandisje të tillë të një udhëheqësi i cili i ka marrë 50 për qind të popullit”, deklaroi Nimani për Ekonomia Online.
Kryetari i “Forumit Intelektual Evropa 2030”, ka dyshime edhe për rrugëtimin politik të kryeministrit Albin Kurti, pasi sipas tij ka mbështetur kandidatë pro serb dhe ka prishur raportet me Shqipërinë.
“Aq shumë ka dritëhije në rrugëtimin e tij polik që nga paralufta, gjatëluftës dhe pasluftës, saqë vërtetë unë kam dyshime se në agjendat e kujt ndodhet kryeministri Kurti. Sikur t’i kisha informatat e plota do t’i ndaja me ju, por të gjitha veprimet të dërgojnë që janë në dëm të interesave kombëtare. Prishja e raporteve me Shqipërinë, përkeqësimi i raporteve me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ndërhyrja politike dhe mbështetja e pro serbëve në Malin e Zi. Komunikimin me të cilin e bën vetëm me një vend në rajon. E dini shumë mirë që ka komunikim vetëm me kryeministrin pro serb në Maqedoninë e Veriut dhe me një grup të majtës në Greqi, pra vetëm kjo vijë komunikimi është momentalisht e Qeverisë Kurti në raport me qytetarët e Kosovës”, tha Nimani./eo