Ambasadori Zemaj takoi ambasadorët e QUINT-it në NATO
Foto: Facebook

Ambasadori Zemaj takoi ambasadorët e QUINT-it në NATO

Aktuale January 31, 2025 - 19:41

Ambasadori i Republikës së Kosovës për Marrëdhëniet me NATO-n, Astrit Zemaj, ishte i ftuar në një mëngjes pune të organizuar në Rezidencën e Ambasadorit të Gjermanisë në NATO , Dr. Geza Andreas von Geyer, në bashkëpunim me përfaqësuesit e përhershëm të vendeve të QUNIT në NATO, ku morën pjesë u.d Shefit të Misionit të SHBA-së, Scott Oudkirk, ambasadorin e Italisë, Marco Peronaci dhe DPR të Francës në NATO, Julie Thisse.

Ky mëngjes pune, ishte i organizuar enkas për Kosovën dhe për bashkëbisedim me ambasadorin e Kosovës për marrëdhëniet me NATO-n. Ambasador Zemaj ka shkruar në Facebook se takimi ’ishte një tregues i veçantë i mbështetjes dhe rëndësisë që shtetet aleate, e në këtë rast nën organizimin e Gjermanisë, i kushtojnë Kosovës, paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon’.

Sipas tij, gjatë këtij takimi, u diskutua për rëndësinë e stabilitetit dhe sigurisë, proceset aktuale, përfshirë ato të zgjedhjeve parlamentare, integrimin euroatlantik të Kosovës, rëndësinë e bashkëpunimit dhe rolit të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR-it në Kosovë, si dhe për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të përbashkët në kuadër të NATO-s.

“Shpreha edhe njëherë mirënjohjen dhe falënderimet për mbështetjen e pakursyer dhe shumëdimensionale që Kosova ka marrë për dekada me radhë, si dhe për angazhimin e forcave ushtarake të shteteve aleate në kuadër të KFOR-it. Po ashtu, falënderova Gjermaninë dhe Aleatet për Ekipin NALT – Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë për punën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të tyre. Theksova gjithashtu rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit dhe integrimin tonë si një partner i besueshëm dhe kontributdhënës për stabilitetin dhe sigurinë, edhe përtej kufijve të rajonit”, ka shkruar ambasadori Zemaj.