Andi Pajaziti lirohet nga akuza për vrasjen në “Bon Vivant”, dënohet me dy vjet burgim për armëmbajtje pa leje

Andi Pajaziti lirohet nga akuza për vrasjen në “Bon Vivant”, dënohet me dy vjet burgim për armëmbajtje pa leje

Aktuale January 31, 2025 - 10:50

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Andi Pajazitit për vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore, kurse u dënua me dy vjet burgim për armëmbajtje pa leje.

Aktgjykimi ndaj Pajazitit u shpall të premten nga gjykatësi Eroll Gashi. Pajaziti ngarkohej për vrasjen e K.R., më 4 gusht 2023, në lokalin “Bon Vivant”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Gashi tha se i akuzuari Pajaziti lirohet nga pika e parë e dispozitivit të aktakuzës për “Vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore”, pasi ka rrethana që përjashtojnë përgjegjësinë penale, përkatësisht veprimet e Pajzitit janë në kuadër të mbrojtjes së nevojshme.

Kurse u shpall fajtor për armëmbajtje pa leje dhe u dënua me dy vjet burgim. Të njëjtit i ndërpritet masa e paraburgimit.

Dënimi me burgim të njëjtit do t’i ekzekutohet në afat prej 15 ditësh pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Në dënimin e shqiptuar me burgim, të njëjtit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 21 qershor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj Andi Pajazitit lidhur me vrasjen e 4 gushtit 2023 në lokalin “Bon Vivant”. Pajaziti ngarkohej për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore”, pasi sipas Prokurorisë nga tronditja që kishte marrë prej tani të ndjerit K.R., i akuzuari pa fajin e tij dhe pa menduar për pasojat e kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë në drejtim të K.R.

Ndryshe, në këtë rast i ndaluar ishte edhe N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Të njëjtit, pas një muaji nga kjo masë, i është ndërprerë paraburgimi, pasi nuk kishte kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit. Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, si të dyshuar për përfshirje në këtë rast, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.

Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti thuhej se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të pandehurve.

Policia e Kosovës e kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave.