Policia Rajonale në Prishtinë del me bilancin e punës për vitin 2024
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka paraqitur bilancin e punës në fushën e rendit dhe sigurisë publike gjatë vitit 2024. Me këtë rast u tha se, pavarësisht sfidave, institucioni ka demonstruar angazhim dhe profesionalizëm të lartë në realizimin e objektivave.
Në raportin e punës së paraqitur sot, Policia në Prishtinë thotë se prej 19,874 rasteve të evidentuara dhe të administruara gjatë vitit 2024 si dhe rastet e bartura nga viti paraprak, 85% janë zbuluar, falë angazhimit të zyrtarëve policor.
“800 plane operative të realizuara, që kanë kontribuar në parandalimin e krimit dhe në arrestimin e 2718 personave të dyshuar për vepra penale. Përmirësim i sigurisë rrugore, me një ulje prej 34% të aksidenteve me fatalitet dhe rritje të masave parandaluese në komunikacion. 300,000 thirrje dhe informacione të pranuara nga qytetarët përmes platformave të ndryshme, duke nxitur një bashkëpunim më të ngushtë me komunitetin”, thuhet në raportin e paraqitur nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë.
Sipas tyre, një pjesë e rëndësishme e këtij suksesi është edhe intensifikimi i bashkëpunimit me qytetarët, mediat dhe institucione të tjera shtetërore, që thonë se ka ndihmuar në rritjen e efikasitetit të forcave të rendit dhe në forcimin e besimit publik.
“Bazuar në të dhënat statistikore, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë vlerëson situatën e sigurisë si të qetë dhe stabile. Angazhimi i përhershëm për sigurimin e një ambienti të sigurt për qytetarët mbetet prioritet kryesor, dhe Policia do të vazhdojë të ofrojë shërbime të shpejta dhe cilësore, duke u mbështetur në profesionalizëm dhe përgjegjshmëri”, thuhet në njoftimin e tyre.