Abdixhiku bën homazhe te varri i Fadil Feratit: La shenja të mëdha në lëvizjen për liri, pavarësi e demokraci

Abdixhiku bën homazhe te varri i Fadil Feratit: La shenja të mëdha në lëvizjen për liri, pavarësi e demokraci

Aktuale January 30, 2025 - 12:48

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, së bashku me kryetarin e Istogut Ilir Ferati, bashkëpunëtorë dhe familjarë kanë bërë homazhe në 15-vjetorin e vdekjes së ish-kryetarit të Istogut, Fadil Ferati.

Abdixhiku tha se Ferati ka lënë shenja të mëdha në lëvizjen e madhe shqiptare për liri, pavarësi e demokraci.

“Jemi këtu për të shënuar e nderuar veprën dhe figurën e një patrioti të djathtë, një njeriu që ka lënë shenja të mëdha në lëvizjen e madhe shqiptare për liri, pavarësi e demokraci. Mbështetës i presidentit Ibrahim Rugova dhe jo vetëm. Mbi të gjitha një prijës i mirë i Istogut, jetën e tij e nderojmë gjithnjë jo vetëm në këtë përvjetor. Veprat dhe vlerat e tij më së miri na shpërfaqen sot edhe te Iliri e familja Ferati të cilët e vazhdojnë rrugëtimi e njëjtë të djathtë rugovist e patriotik për vendin”, tha Abdixhiku.

Kryetari i Komunës Ilir Ferati, i cili është dhe i biri i Fadil Feratit, tha se 15-vjetori i vdekjes së tij i kujton edhe më shumë peshën e përgjegjësisë që të vazhdohet më tutje me udhëheqjen e mirë të komunës së Istogut.

“Jam jashtëzakonisht i emocionuar sot në këtë 15-vjetorin e largimit të tij. 15-vjetori i tij na ngarkon edhe më shumë peshën e përgjegjësi mbi supe që të vazhdojmë tutje edhe nën udhëheqjen e mirë të komunës së Istogut edhe punën e madhe në LDK edhe në shërbimin e qytetarëve në krejt Kosovën”, tha Ferati.

Pas homazheve Abdixhiku do të marrë pjesë edhe në akademinë përkujtimore kushtuar veprimtarit Ferati.