![Haradinaj ngushëllon për vdekjen e Ferid Gjikollit: Dha kontribut për UÇK-në dhe rindërtimin e Pejës pas çlirimit](/uploads/zeri.info/images/2025/January/29/auto_Ferid-Gjikolli-780x4391738187172.jpg)
Haradinaj ngushëllon për vdekjen e Ferid Gjikollit: Dha kontribut për UÇK-në dhe rindërtimin e Pejës pas çlirimit
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shprehur pikëllimin e tij për ndarjen nga jeta e Ferid Gjikollit, një figure e njohur dhe e respektuar nga Peja.
Në një mesazh të postuar në Facebook, Haradinaj vlerësoi kontributin e Gjikollit si jurist, avokat dhe si njëri nga liderët që e shërbeu vendin me përkushtim në kohët më të vështira.
“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të Ferid Gjikollit, i cili me përkushtim e dinjitet i shërbeu vendit në kohët më sfiduese. Ferid Gjikolli do të mbahet mend si kryetari i fundit shqiptar i Pejës, jurist dhe avokat i respektuar, që qëndroi me stoicizëm para të gjitha sfidave,” shkroi Haradinaj.
Ai vuri në dukje përkrahjen e Gjikollit për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën e Dukagjinit dhe kontributin e tij në rindërtimin e Pejës pas çlirimit të vendit.
“Përkrahja e tij për UÇK-në në Zonën e Dukagjinit dhe kontributi në rindërtimin e Pejës pas çlirimit, dëshmojnë për karakterin e tij të pathyeshëm dhe përkushtimin ndaj lirisë,” tha Haradinaj.
Në fund të mesazhit, ai u drejtua familjes së Gjikollit, miqve dhe qytetarëve të Pejës, duke u shprehur me ngushëllimet e tij më të sinqerta. “Familjes Gjikolli, miqve dhe gjithë qytetarëve të Pejës u shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Pushoftë në paqe,” shkroi Haradinaj.
Ferid Gjikolli do të kujtohet si një figurë e rëndësishme në historinë e Pejës dhe të Kosovës, duke lënë pas një trashëgimi të pasur të përkushtimit dhe shërbimit ndaj vendit.