Bllokimi i rrugëve nga protestuesit në Serbi, apelohet që të shmanget kalimi në Jarinë
Foto: Laura Hasani

Bllokimi i rrugëve nga protestuesit në Serbi, apelohet që të shmanget kalimi në Jarinë

Aktuale January 28, 2025 - 23:00

Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar ka kërkuar që qytetarët të shmangin kalimin në pikën kufitare të Jarinjës, pas zhvillimeve të fundit në Serbi.

Sipas një njoftimi të publikuar të martën vonë në Facebook, rruga në Kralevë të Serbisë është bllokuar nga protestuesit, të cilët nuk po lejojnë qarkullimin e automjeteve.

Në njoftim, qytetarëve u është bërë thirrje të përdorin pikat e tjera kufitare deri në një njoftim të ri, për të shmangur pengesat dhe vonesat.

Protestat në Serbi kanë nisur që nga nëntori, kur një incident tragjik në Novi Sad, ku 15 persona humbën jetën pas shembjes së një strehe në një stacion treni, shkaktoi zemërim të gjerë publik.

Si pasojë e situatës së tensionuar, kryeministri serb Millosh Vuçeviq ka dhënë dorëheqjen të martën.

Autoritetet mbeten në gatishmëri për të monitoruar situatën dhe për të ofruar udhëzime të mëtejshme për qytetarët.

Postimin e QKMK-së e ka shpërndarë edhe Policia e Kosovës.