Fetoshi thotë se e drejta për zgjedhje të lira është më e kërcënuar se kurrë nga Serbia
Foto: Laura Hasani

Fetoshi thotë se e drejta për zgjedhje të lira është më e kërcënuar se kurrë nga Serbia

Aktuale January 28, 2025 - 13:00

E drejta për zgjedhje të lira dhe racionale si fundament i demokracisë është më e kërcënuar se kurrë nga ndërhyrjet gjithnjë e më komplekse e të sofistikuara të autokracive më qëllime hegjemoniste, ka thënë drejtori i “Octopus”, Arben Fetoshi.

Ai ka theksuar se lufta hibride e Serbisë kundër Kosovës mund të përkufizohet si ndërhyrje politike, ekonomike dhe e sigurisë.

“Rusia kundrejt perëndimit dhe NATO-s për ta rikthyer perandorinë e kuqe, Serbia kundër gjithë rajonit për ta realizuar botën serbe. Strategjitë e ndërhyrjes me dezinformimin, narrativat mashtruese, sulmet kibernetike, financimet e fshehta dhe manipulimet financiare janë bërë edhe më perfide siç dëshmon rasti i zgjedhjeve të nëntorit në Rumani me llogari të rrejshme në rrjetet sociale, me influencerë të paguar, si dhe keqpërdorim të inteligjencës artificial”, tha Fetoshi në tryezën me temën: “Ndërhyrja e huaj në zgjedhje dhe ndikimi i saj në sigurinë kombëtare dhe demokraci”.

Ai tha se Serbia vazhdon të jetë kërcenim serioz edhe për sigurinë nacionale.

“Qasje e njëjtë nga Serbia po vërehet edhe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Partia e Vuçiqit ka bërë thirrje që të votohet vetëm Lista Serbe. Qeveria e saj është mobilizuar ta mbështesë me të gjitha mjetet, duke përdorur edhe metodat financiare”, tha Fetoshi.

Angazhimi i Serbisë për t’ia siguruar Listës Serbe 10 mandatet e garantuara në Kuvendin e Kosovës, sipas tij nuk ka të bëjë vetëm me qëllimin për kontroll të Rusisë.

“Pavarësisht nga faktorët historikë e socialë që e pengojnë ndërhyrjen direkte të Rusisë, Kosova nuk mund ta fitojë normalizimin me Serbinë derisa Lista Serbe të jetë entiteti politik që i përfaqëson serbët e Kosovës”, tha Fetoshi.