Selmanaj: Situata në veri nuk mbahet me policë, me ndërkombëtarët do ta shtrijmë sovranitetin e plotë
Foto: Laura Hasani

Selmanaj: Situata në veri nuk mbahet me policë, me ndërkombëtarët do ta shtrijmë sovranitetin e plotë

Aktuale January 28, 2025 - 10:38

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se nëse kjo parti vjen në krye të Qeverisë, do ta shtrijë sovranitetin e plotë në veri në koordinim me ndërkombëtarët.

Ai ka thënë se shtrimi i sovranitetit në atë pjesë të vendit është çështje politike e jo policore.

I pyetur në emisionin “InfoNata” në Tëvë1 edhe për kërkesën e ndërkombëtarëve për largimin e Njësisë Speciale nga veriu, ai ka thënë se LDK-ja në koordinim me ndërkombëtarët do ta shtrijnë sovranitetin e plotë.

“Ne do të koordinohemi me ta dhe do ta shtrijmë sovranitetin në kuptimin e plotë të fjalës, duke i bërë që serbët e Kosovës në Kosovë të ndihen si në shtëpinë e tyre. Çdo kërkesë që është në funksion të shtrimit të sovranitetit dhe fuqizimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar do ta bëjmë. LDK-ja nuk do ta bëjë atë që e ka bërë kjo qeveri, ditën kinse i ka dërguar policinë atje dhe më pas shkon dhe e nënshkruan Marrëveshjen e Brukseli dhe Ohrit për vendosjen e autonomisë territoriale të Serbisë”, tha Selmanaj në emisionin “InfoNata”.

Ai ka thënë se autoriteti civil nënkupton shtrimin e sovranitetit.

Duke folur për veprimet e Qeverisë në veri, ai ka thënë se situata atje është momentale, por ka thënë se e mira është që grupet kriminale nuk funksionojnë më.