Në Dragash diskutohet për praktikat e mira dhe sfidat në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve

Në Dragash diskutohet për praktikat e mira dhe sfidat në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve

Aktuale January 27, 2025 - 16:49

Zbatimi i dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve është diskutuar në Komunën e Dragashit në një takim të organizuar nga Instituti SINK. Sipas njoftimit të kësaj komune gjatë diskutimeve janë adresuar edhe sfidat dhe problemet praktike që hasen gjatë zbatimit të këtij ligji.

“Në shumë aspekte, Dragashi është një shembull i lartë i bashkëjetesës në Kosovë. Si një Komunë e vogël, por me vizion të madh dhe një nivel të lartë qytetërimi, Dragashi respekton në mënyrë të veçantë të drejtën për përdorimin e gjuhëve”, thuhet në njoftimin e Komunës së Dragashit, raporton Telegrafi.

Tutje sqarohet se në këtë takim kanë marrë pjesë nënkryetari i Komunës nga radhët e komuniteteve, Fejsal Halilovië, i cili ka folur për rezultatet e arritura me këtë ligj.

Uzair Hamza, shef i Zyrës për Komunitete dhe Kthim, ka prezantuar në detaje sfidat të cilat hasen gjatë zbatimit të këtij ligji.

Suad Tosuni, personi kontaktues për monitorimin e zbatimit të dygjuhësisë në Komunën e Dragashit, ka prezantuar respektimin e dygjuhësisë gjatë takimeve zyrtare, prodhimit të dokumenteve zyrtare, zhvillimit të seancave të Kuvendit, etj.

Ndërkaq Valdon Bytyqi, zyrtar nga Ministria e Drejtësisë, njëherësh edhe ligjërues ka diskutuar mbi të drejtën e gjuhës si e drejtë universale; përdorimin e gjuhëve sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve, zbatimin e tij dhe sfidat kryesore që e shoqërojnë.

“Diskutimet shërbyen si një mundësi e mirë për identifikimin e sfidave dhe eksplorimin e zgjidhjeve konkrete që garantojnë zbatimin e plotë të Ligjit dhe Mbrojtjen e të Drejtave Gjuhësore të të gjitha komuniteteve”, thuhet në njoftimin e Komunës së Dragashit.

Takimi është mbajtur në kuadër të projektit “Promovimi i mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të gjuhëve në Kosovë”, që zbatohet nga Instituti SINK, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit dhe Njësinë Komunale për të Drejtat e Njeriut (NJKDNJ) në Komunën e Dragashit, dhe me mbështetje nga Zyra e Komisionerit për Gjuhët. /telegrafi