Gërvalla e quajti Haradinajn “gjeneral të vetëshpallur”, reagon OVL e UÇK-së
Foto: Laura Hasani

Gërvalla e quajti Haradinajn “gjeneral të vetëshpallur”, reagon OVL e UÇK-së

Aktuale January 27, 2025 - 14:31

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila e quajti Ramush Haradinajn si “gjeneral të vetëshpallur”.

OVL e UÇK-së, përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se nuk është hera e parë që Donika Gërvalla fyen UÇK-në, udhëheqësit e saj dhe pjesëtarët e Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare, por sipas saj, kësaj here e kanë tepruar.

Në reagim ata thonë se nuk janë të vetëshpallur, por me vetëdije të plotë thonë se i kanë dalë përballë armikut.

“Po ta përkujtojmë Donikë një gjë, sepse këtë nuk ta kanë treguar serbët, se: Pas Betejës titanike të Kryekomandantit Adem Jashari dhe Familjes së tij në Prekaz më 5. 6. 7 mars 1998, ishin Haradinajt ata, që më 24 mars 1998 bënë luftë të paparë kundër forcave serbe, duke e vazhduar Luftën çlirimtare me pushkën dhe zërin e tyre; ‘Ooo prite Adem Jasharin moreee heeej’. E pra, kjo është Drenica e Dukagjini që E zeza Donikë ti i ke quajtur e po vazhdon t’i quash vende të krimit!?”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.