Kosova me platformë për mbrojtje nga sulmet kibernetike
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka lansuar të hënën platformën për identifikimin e rrjedhjes së të dhënave personale.
Në Ditën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, u tha se kjo platformë siguron që institucionet të jenë më të përgatitura për të siguruar të dhënat personale, rrjedhjen e tyre dhe mbrojtje nga sulmet e mundshme kibernetike.
Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku, tha se ky projekt paraqet avancim shtesë për zbatimin e ligjit dhe forcimin e mekanizmave për kontrolle shtesë.
“Platforma që do të prezantojmë e mbështetur nga ambasada amerikane në Kosovë paraqet një avancim shtesë në angazhimin tonë për të garantuar zbatimin efektiv të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Po ashtu edhe forcimin e mekanizmave të kontrollit të cilat kanë për qëllim sigurimin e monitorimit të publikimit të paautorizuar të të dhënave personale të qytetarëve tanë. Me gjithë përpjekjet angazhimin dhe përkushtimin tonë të përbashkët, nevojat për forcimin dhe avancimin për mbrojtjen e të dhënave personale në Kosovë vazhdon të mbetet prioritet yni. Sigurimi i zbatimit të ligjit dhe ndërgjegjësimi i kontrolluesit publik dhe privat për veprimet që duhet t’i marrin në raport me mbrojtjen e të dhënave personale”, tha ajo.
Si sukses të vitit të kaluar, Sogojeva-Dermaku e konsideron pranimin e institucionit që ajo e drejton në Bordin Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave si anëtare vëzhguese.
“Pranimi i Agjencisë për Informim dhe Privatësi si anëtare vëzhguese në Bordin Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) është tregues se rregullativa ligjore në Kosovë për mbrojtjen e të dhënave personale është në harmoni të plotë me rregullativën e BE-së për mbrojtjen e të dhënave, ndërsa rëndësia e këtij anëtarësimi konsiston se me aplikimin e standardeve ndërkombëtare në vendimmarrjen tonë, ne kemi hapur rrugën Kosovës në rritjen e besueshmërisë për investime të huaja, duke garantuar standarde ndërkombëtare për mbrojtjen e të dhënave. Në saje të detyrave dhe përgjegjësive tona me përkushtim dhe seriozitet të lartë kemi vazhduar angazhimin tonë si organ vëzhgues në EDPP duke marrë pjesë në tri takime të Grupeve Punuese të kësaj Organizate, duke forcuar tutje pozicionin tonë në raport me përmbushjen e detyrimeve ligjore për pjesëmarrje me të drejta të plota në këtë organizatat ndërkombëtare”, tha ajo.
Zëvendësshefi i Misionit në ambasadën e SHBA-së, Ralan Hill, tha se ky projekt do t’i ndihmojë institucionet e Kosovës të ndërtojnë qëndrueshmëri edhe të sigurisë kibernetike.
Sipas tij, platforma zbulon shkeljet e të dhënave dhe mbledh informacione për kërcënime kibernetike, duke iu mundësuar agjencive të identifikojnë shpejt shkeljet ose rrjedhjet e saj.
“Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur këtë projekt përmes Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit, me qëllim që t’i ndihmojnë institucionet e Kosovës të ndërtojnë qëndrueshmëri të sigurisë kibernetike. Kjo platformë zbulon shkeljet e të dhënave dhe mbledh informacione për kërcënimet kibernetike, duke u mundësuar agjencive të identifikojnë shpejt shkeljet ose rrjedhjet”, tha ai.