Eksperti mjekoligjor Marek Gasior nis dëshminë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Eksperti mjekoligjor Marek Gasior nis dëshminë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Aktuale January 27, 2025 - 12:44

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 117-të, Marek Gasior, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar është duke dëshmuar si ekspert mjekoligjor dhe se i njëjti ka dëshmuar edhe në gjykimin ndaj Pjetër Shalës.

Ai pohoi se raporti që ka përgatitur ai në këtë çështje pasqyron atë që do të thoshte sot në sallën e gjyqit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Autopsia është kryer për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së pacientit. Ky raport flet për lëndimet që janë evidentuar në kufomë dhe në këtë raport është dhënë shkaku i vdekjes”, tha ai.

Ai shtroi se këtë raport e ka përgatitur në bazë të autopsive.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë vetëm sot. Ai tha se prokuroria ka parashtruar se i duhen rreth dy orë për pyetjet, ndërsa mbrojtja e të akuzuarve rreth një orë e 20 minuta për kundërpytje.

Të gjithë të akuzuarit ishin të pranishëm në sallën e gjyqit sot dhe vlen të theksohet se në fillim, një pjesë e konsiderueshme e seancës ishte private.

Veç kësaj, në prova materiale u pranuan akt-ekspertiza së bashku me raportin e përgatitur nga dëshmitari e po ashtu edhe letra me udhëzimet e ZPS-së të cilat u klasifikuan si konfidenciale.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.