Rushiti: Drejtësia për të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës duhet të shkojë përtej ndëshkimit të autorit të krimit
Drejtësia për të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës duhet të shkojë përtej ndëshkimit të autorit të krimit. Ajo duhet të jetë një sistem gjithëpërfshirës, ku e vë në pah edhe e mban përgjegjës autorin e krimit, ka thënë drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti.
Në tryezën me temën “Avancimi i qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale lidhur me konfliktin”, Rushiti tha se stigma është një armik i fshehur që godet të mbijetuarit pas dhunës.
Ajo tha se kjo krijon një barrierë të padukshme por edhe të rëndë duke i izoluar të mbijetuarit nga shoqëria dhe duke i shkaktuar ndjesinë e turpit dhe marres që mbizotëron jo vetëm te ajo si individ, por natyrisht edhe te familjarët e tyre.
“Dhuna seksuale në luftë por edhe në vendet ku ka konflikte të armatosura aktuale, lë plagë të thella dhe të shumëfishta. Ndikimi nuk ndalet vetëm te dëmi fizik qysh mendohet, por edhe shkatërrimi mendor të saj por sigurisht edhe siguria personale. Ajo përfshin një efekt më të madh dhe më të fshehur, siç është stigmatizimi që rëndon edhe më thellë traumën e këtyre personave me të cilën ballafaqohen me dhunën seksuale. Shumë herë efekti i stigmës është efekt shkatërrues. Stigma është një armik i fshehur që godet të mbijetuarit pas dhunës. Ajo krijon një barrierë të padukshme por edhe të rëndë duke i izoluar të mbijetuarit nga shoqëria dhe duke i shkaktuar ndjesinë e turpit dhe marres që mbizotëron jo vetëm te ajo si individ, por natyrisht edhe tek familjarët e saj”, tha Rushiti.
Ajo ka theksuar se drejtësia nuk është thjesht vetëm ndëshkim, por njohje dhe shërim edhe këtë më së miri e kemi parë në praktikat tona.
“As drejtësi penale, e as ajo restauruese nuk mund të adresojë tërësisht dëmin kompleks që e përjeton një e mbijetuar. Drejtësia për të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës duhet të shkoj përtej ndëshkimit të autorit të krimit. Ajo duhet të jetë një sistem gjithëpërfshirës ku e vë në pah edhe e mban përgjegjës autorin e krimit, duke siguruar që të mbijetuarit të ndjehen të mbrojtur në këtë proces dhe lënda e tyre të trajtohet në konfidencialitet”, tha Rushiti.
Shefi i Sektorit për Sundimin e Ligjit dhe ekipit për të drejtat e njeriut nga Zyra e përfaqësuesit special të BE-së, Jarmo Feliks Helppikangas, tha se po bëhen përpjekje për të ofruar drejtësi.
“Ka pasur përmirësime, si për shembull Agjencia për Drejtësi Tranzicionale që është adaptuar kohëve të fundit dhe tani për këtë dhe pjesë të tjera normalisht merr kohë që të bëhet rekomandimi dhe ka pasur përpjekje rreth kësaj. Normalisht që kërkon përkushtim dhe përpjekje për të gjitha këto përgjigje, shkon më pjesën e aprovimit të buxhetit nga ana e qeverisë dhe kuvendi. Megjithatë, të gjitha këto janë diçka që kërkohen nga pjesa dhe ana e drejtësisë”, tha ai.
Helppikangasi tha se viktimat dhe dëshmitarët duhet të dalin para drejtësisë dhe gjithashtu të tregojnë anën e tyre të tregimit, e që sipas tij është një sfidë mjaft e madhe.