Shënohet 80-vjetori i çlirimit të kampit “Auschwitz”, pjesëmarrëse edhe Osmani
Sot do të përkujtohet 80-vjetori i çlirimit të kampit të përqendrimit dhe shfarosjes nazist gjerman “Auschwitz”.
Në këtë ceremoni, krahas liderëve botërorë, merr pjesë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila të dielën ka udhëtuar për në Poloni.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se gjatë ceremonisë, në përkujtim të viktimave të Holokaustit, me pjesëmarrësit do të ndahen rrëfimet prekëse të dy të mbijetuarve nga kampi i Auschwitz, duke rikujtuar një nga kapitujt më të errët të historisë njerëzore.
“‘Auschwitz’ është simbol i Holokaustit dhe mizorive të Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 2005, Kombet e Bashkuara shpallën 27 janarin Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, për t`i kujtuar viktimat dhe për ta nxitur botën që të angazhohet për të mos lejuar kurrë më përsëritjen e tmerreve të tilla”, thuhet në njoftimin e dërguar nga Presidenca e Kosovës.