E quajti Ramush Haradinajn “gjeneral të vetëshpallur”, OVL UÇK-ja në Pejë reagon ndaj Gërvallës
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) në Pejë ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila e quajti Ramush Haradinajn si “gjeneral të vetëshpallur”.
Në një deklaratë të publikuar, OVL-UÇK thekson se kjo deklaratë është një “gënjeshtër e madhe” dhe një “përdhosje e sakrificës së mijëra dëshmorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së”.
“Me keqardhje të thellë dëgjuam fyerjet e rënda të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ndaj Ramush Haradinajt dhe luftës së lavdishme të UÇK-së. Ta quash një komandant të betejave më të ashpra të luftës çlirimtare ‘gjeneral të vetëshpallur’ është jo vetëm një gënjeshtër e turpshme, por edhe një përdhosje e sakrificës së mijëra dëshmorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së”, thuhet në reagimin e tyre.
OVL-UÇK e Pejës vuri në dukje kontributin e Haradinajt dhe të gjithë luftëtarëve të UÇK-së në zonën e Dukagjinit, duke përmendur se mbi 920 luftëtarë ranë dëshmorë në përballje me forcat serbe.
“Ata nuk luftuan për tituj, por për lirinë e Kosovës, për lirinë që sot e përfaqëson padenjësisht vetë ministrja Gërvalla-Schwarz, e cila, në vend që ta nderojë këtë sakrificë, zgjedh ta përçmojë,” thuhet më tej.
Deklarata përmban edhe kritika të ashpra ndaj ministres, duke e akuzuar se nuk po e nderon trashëgiminë e babait të saj, Jusuf Gërvalla, por përkundrazi, po e përdor pozitën për të përçmuar luftën çlirimtare.
“Ministrja Gërvalla-Schwarz është personi i parë në politikën e pasluftës që e përdor sakrificën e dëshmorëve për t’i sulmuar ata dhe për të njollosur luftën e shenjtë për liri. Kjo nuk sjell bashkim, por ndarje. Nuk forcon shtetin, por e përçan popullin. Nuk e nderon të kaluarën, por e shkel me përbuzje,” përfundon reagimi. /telegrafi