Kurti reagon pas aksidentit me tre të vdekur në rrugën Mitrovicë-Pejë
Kryeministri i vendit Albin Kurti, ka reaguar pas aksidentit tragjik që ndodhi në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, ku humbën jetën tre persona dhe u lënduan pesë të tjerë.
Ai ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, ndërkaq të lënduarve shërim sa më të shpejtë.
“Lajmi për aksidentin e trafikut ku 3 persona humbën jetën në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë na jep dhimbje të madhe. Dua të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë ngjarje trishtuese, duke iu drejtuar familjarëve të viktimave e duke shpresuar që të kenë forcën për ta përballuar humbjen e tyre. Njëkohësisht, uroj shërimin sa më të lehtë dhe sa më të shpejtë për 5 të lënduarit e këtij aksidenti,” ka thënë Kurti.
Ai shtoi se autoritetet përkatëse janë duke punuar për të siguruar një pasqyrë të plotë të rastit dhe bëri thirrje për kujdes të shtuar në trafik.
“Konsideroj se shumë shpejt do të kemi një pasqyrë edhe më të plotë për rastin, ndërkohë që marr shkas për të bërë thirrje për kujdes të përgjithshëm në komunikacionin automobilistik, për të evituar sa më shumë fatkeqësitë”, shkroi Kurti në Facebook.
Ndërkaq, jo zyrtarisht raportohet se në aksident të vdekur kanë mbetur tre anëtarë të familjes Gashi: Zarife Gashi, rreth 70 vjeçare, Agim Gashi, rreth 50 vjeçar dhe Gyltene Gashi, rreth 48-vjeçare.