Shtohen vizitorët nga Shqipëria në Kosovë, pëlqejnë turizmin gjatë dimrit
Udhëtarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë që e pëlqejnë borën e natyrën, po udhëtojnë qindra kilometra për të vizituar Prevallën dhe Brezovicën. Por, ata po ankohen ndër të tjera edhe për mungesë të parkingjeve në këto dy destinacione turistike në Kosovë.
Dy nga destinacionet turistike dimërore më të vizituara në Kosovë, janë regjistruar këtë vikend në Morinë në hyrje të Kosovës. Qytetarët që vijnë, sidomos nga Tirana e pjesa jugore e Shqipërisë, pëlqejnë atmosferën, borën dhe natyrën që ofrojnë Prevalla e Brezovica.
“Për Brezovicë jemi nis, po bëjmë gati 30 minuta këtu në trafik që nuk po lëvizim dot”, tha një shtetas i Shqipërisë.
“Jemi duke shkuar për Brezovicë, na e kanë sugjeruar si vend dhe shpresojmë që do të ia kalojmë shumë mirë. Hera e parë që jam duke e vizituar Kosovën, është vend i bukur”, tha një tjetër shtetas shqiptar.
Por drejtues të agjencive turistike shprehen të pakënaqur me mungesën e menaxhimit, në një një kohë që numri i vizitorëve në Prevallë dhe Brezovicë dhjetorin e kaluar dhe në janar të këtij viti ka shënuar një rritje të ndjeshme.
“Mospastrimi i dëborës në rrugë, mos pastrimi i parkimeve dhe lënia e autobusëve 40-45 min larg nga pika kryesore ku njerëzit detyrohen që të ecin të gjithë në këmbë”, tha Angjelo Malushi, operator turistik.
Fundjava është shoqëruar edhe me lëvizje të qytetarëve e mjeteve nga Kosova drejt Shqipërisë./rtk