Shteti Bektashi, Berisha e cilëson krijesë anti-shqiptare; kush qëndron pas idesë së hedhur nga Rama?
Pavarësisht idesë që Edi Rama mund të ketë në kokë dhe njëherë në 4 muaj e hedh në publik, sot askush nuk e ka të qartë, përfshi edhe ministrat që bëjnë pjesë në Qeverinë e tij, se si do të ngrihet shteti Bektashi
E ndërsa Edi Rama i është rikthyer sërish sot idesë për krijimin e shtetit Bektashi, Sali Berisha në anën tjetër e konsideron si një akt-antikushtetues që krijon përçarje të thella fetare në Shqipëri.
Kryeministri deklaroi se askush s’ka pse i trembet idesë se shteti Bektashi do të ketë statusin e posaçëm të Selisë së Kryegjyshatës Botërore. Madje Kreu i Qeverisë ka bërë një krahasim mes Vatikanit dhe Shtetit Bektashi, sa i takon statusit apo mënyrës së organizimit.
Por Berisha në një reagim në rrjetet sociale shprehet se shpallja e shtetit bektashi nga Edi Rama është thikë pas shpine ndaj besimit mysliman në Shqipëri dhe një akt madhor antikombëtar!
“Klerikët patriotë bektashinj kanë luftuar për sovranitetin dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe jo kurrë për principata fetare, sepse ishin atdhetarë të flaktë dhe jo trafikantë e tradhtarë antishqiptarë.
Me këtë akt antikushtetues, ky antishqiptar i damkosur kërkon të fusë në Shqipëri përçarje të thellë fetare, të përdorë territorin e Shqipërisë si pronë private të tij dhe grupeve antishqiptare që përfaqëson dhe të krijojë një epiqendër të trafiqeve kriminale ndërkombëtare”, thekson Berisha.
Në vijim, ish-Kryeministri deklaron se Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe projektin e shtetit Islamik Bektashinj brenda territorit të Shqipërisë dhe garanton bektashinjtë shqiptarë dhe të gjitha komunitetet tona fetare se ajo, duke respektuar me rreptësi parimin e ndarjes së shtetit nga feja, do qëndrojë në krah të tyre e palëkundur në mbrojtje të harmonisë dhe tolerancës së shkëlqyer fetare të kombit tonë dhe nuk do njohë kurrë krijesa të tilla antikushtetuese e antishqiptare.
Idea për shtetin Bektashi u artikulua për herë të parë në shtator 2024 nga New York Times dhe më pas ishte Kryeministri Edi Rama që e pohoi publikisht nismën.
Në media dhe qarqet politike janë ngritur disa hipoteza lidhur me atë se kush e hodhi idenë e krijimit të një shteti Bektashi brenda territorit shqiptar, kush e mbështet. Kështu janë hedhur hipoteza për një ndikim izraelit, më pas me një projekt të inicuar nga Presidenti turk Erdogan, ndërsa Berisha në denoncimin e tij rreth 4 muaj më parë ka deklaruar se teza të tilla vijnë nga qarqe anti-shqiptare.
Pavarësisht idesë që Edi Rama mund të ketë në kokë dhe njëherë në 4 muaj e hedh në publik, sot askush nuk e ka të qartë, përfshi edhe ministrat që bëjnë pjesë në Qeverinë e tij, se si do të ngrihet shteti Bektashi, baza ligjore, çfarë statusi do të ketë, kush do e njohë, si do të operojë, përtej krahasimeve me Vatikanin. /Pamfleti