Janullatos nderohet me ceremoni të madhe në Greqi
Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25 janar 2025, nderohet këtë të diel me një ceremoni të madhe në Greqi, për të kujtuar jetën dhe veprën e tij të jashtëzakonshme.
Në Mitropolinë e Athinës do të zhvillohet Liturgjia Hyjnore në nderim të Kryepeshkopit të ndjerë, ku do marrin pjesë figura të larta politike dhe kishtare, përfshirë Kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis dhe Presidentin e PASOK-ut, Nikos Androulakis.
Liturgjinë do ta kryesojë Mitropoliti i Nafpaktos dhe i Shën Vlasit, Jerotheosi, ndërsa pas përfundimit të ceremonisë, Kryepeshkopi i Athinës dhe i gjithë Greqisë, Jeronimos, do mbajë një shërbesë për shpirtin e të ndjerit.
Trupi i Kryepeshkopit do të qëndrojë në Katedralen e Shenjtë të Athinës për nderime publike deri në orët e mëngjesit të së hënës, kur do të nisë udhëtimin për në Shqipëri.
Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse të Greqisë njoftoi se trupi i Kryepeshkopit do të dërgohet në Shqipëri përmes pikës kufitare të Kakavisë, ku do të mirëpritet me nderime solemne.
Kisha e Shqipërisë shpalli pesë ditë zie kishtare nga 25 deri më 29 janar 2025 për të nderuar Kryepeshkopin Anastas.
Gjatë këtyre ditëve, besimtarët do të mund të shprehin ngushëllimet e tyre dhe të kujtojnë kontributin e tij të jashtëzakonshëm për ringjalljen e Kishës Ortodokse dhe për avancimin e marrëdhënieve ndërkulturore mes Shqipërisë dhe Greqisë. /euronews.al