Në ajër, ujë e tokë - Cilat janë planet e partive për reduktimin e ndotjes?
Në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, partitë garuese ndër tjerash kanë premtuar riciklim të gjysmës së mbeturinave, mbyllje të termocentraleve e trajtim të ujërave të zeza. Shumica e premtimeve në programe zgjedhore nuk kanë afate kohore apo plan të kostos, derisa ambientalistët thonë se çështjet mjedisore duhen të kenë vëmendje dhe urgjencë më të madhe nga ata që synojnë pushtetin.
AJRI
Nga nëntori deri në shkurt, në Kosovë dhe në veçanti në zonën e kryeqytetit, gjendja me cilësinë e ajrit bëhet kritike.
Nëpër rrugët e Prishtinës, gjatë motit të ftohtë rëndom shihen matësit e cilësisë së ajrit që shfaqin figura të fytyrës së kuqe dhe të ngrysur, që simbolizon se ajri aktualisht është i pashëndetshëm.
Problemet me ndotjen e ajrit janë të kamotshme dhe shpesh e kanë renditur Kosovën dhe kryeqytetin në listën e vendeve me ajrin më të ndotur në botë.
Sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik, në vitin e fundit, ajri u regjistrua si i dobët ose shumë i dobët, në rreth 11 për qind të ditëve.
Shkaktarë të ndotjes llogariten në masë të madhe termocentralet me qymyr, të vendosura në zonën e Obiliqit, rreth 10 kilometra nga Prishtina.
Të tjerë shkaktarë janë trafiku i dendur, përdorimi i lëndëve djegëse nëpër amvisëri e deri te gazrat e emetuara nga industria prodhuese.
Çfarë premtojnë partitë?
Çështjet mjedisore, duke përfshirë ndotjen e ajrit, përmenden si kapituj të veçantë në programet zgjedhore të partive më të mëdha garuese, që janë publikuar deri më tani.
Nga to, vetëm partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk e ka bërë publik programin zgjedhor.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje përgjigje në lidhje me synimet dhe premtimet e tyre konkrete sa i përket çështjeve mjedisore në programin e tyre zgjedhor, por nuk ka marrë përgjigje deri më tani.
Partia Demokratike e Kosovës, që në zgjedhjet e kaluara ishte e dyta, në programin e saj premton ndër tjerash që “cilësia e ajrit, ujit dhe tokës do të monitorohet rregullisht”.
Në këtë program ajo kë premtuar mbështetje për rritjen e mbulueshmërisë së ngrohjes qendrore, duke reduktuar kështu ngrohjen me lëndë djegëse individuale nëpër amvisëri.
Tutje, kjo parti ka premtuar “modernizim të transportit publik dhe lirim nga dogana të automjeteve të reja elektrike që importohen”.
Deri më tani në Kosovë, nuk ka në qarkullim mjete elektrike të trafikut urban apo ndërurban apo ndonjë lehtësi për përdoruesit privatë të automjeteve elektrike.
Në çështjet që lidhen me termocentralet, PDK-ja nuk ka premtuar mbylljen e tyre, veçse ka thënë se synon ndërtimin e një termocentrali me gaz dhe rritjen e prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtërishme.
Aktualisht në Kosovë, shumica e prodhimit të energjisë elektrike bëhet nga termocentralet aktive, gjegjësisht nga djegia e qymyrit.
Lidhja Demokratike e Kosovës, në anën tjetër, në program është fokusuar në krijimin e bazave ligjore dhe strategjive kombëtare që kanë të bëjnë me çështje mjedisore.
“Orientim programor do të jetë ngritja e standardeve kombëtare ligjore për cilësinë e ujit, ajrit, dheut dhe ruajtjes së biodiversitetit drejt arritjes së standardeve të BE-së”, thuhet në program.
LDK-ja ka premtim konkret në lidhje me termocentralet duke paraparë mbylljen e plotë të termocentralit Kosova A, i cili është më i vjetruar.
Por, këtë, ajo thotë se do ta bëjë pasi të ketë ndërtuar një termocentral të ri me gaz, të riparojë termocentralin e dytë ekzistues Kosova B, si dhe të ndërtojë kapacitete të reja solare dhe të erës.
Termocentrali Kosova A - i cili gjeneron rrymë me thëngjill, është i vjetër me dekada dhe i ka dy blloqe jashtë funksionit - ka qenë e paraparë të mbyllej deri në vitin 2017, por kjo nuk ka ndodhur.
Mbylljen e tij, apo siç e ka quajtur në program “dekompozim”, e premtoi edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Megjithatë, në të njëjtin program parashihet ndërtimi i një termocentrali të ri me qymyr me kapacitet prej 500 megavatesh prodhim.
Në një tubim të fushatës zgjedhore, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e arsyetoi këtë plan duke thënë se me teknologji të reja do të kishte emetim minimal të gazrave të dëmshme.
Qeveria aktuale e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje deri më tani nuk ka bërë publike plane për mbylljen e plotë të ndonjë termocentrali.
Termocentrali Kosova A, madje është përfshirë në Strategjinë për Energji 2022-2031, e cila parasheh investime në një njësi të tij.
Në një njoftim më 24 janar 2025, Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar një projekt "për rehabilitimin dhe modernizimin e njësisë A3" të termocentralit Kosova A.
Sipas njoftimit, ky rehabilitim do të kushtojë 137 milionë euro.
"Me këtë investim Bllokut A3 po ia zgjasim jetën për 20 vjet... dhe përmirësojmë efikasitetin mjedisor, sepse A3-shi i rehabilituar do të përdorë gati 30% më pak thëngjill dhe me teknologjinë e standardet bashkëkohore, do të pakojë për mbi 50% dromcat, oksidet e azotit e dyoksidin e sulfurit që nxjerr gjatë prodhimit", u citua të ketë thënë Albin Kurti, kryeministër aktual i vendit.
Për një njësi tjetër të Kosovës A, në Strategjinë shtetërore, Qeveria kishte paralajmëruar se mund të marrë vendim për mbyllje, por deri më tani nuk janë parë lëvizje në këtë drejtim.
Nëpër tubime të fushatës, kryeministri aktual dhe kreu i Vetëvendosjes, ka përmendur plane për shtim të kapaciteteve energjetike të burimeve tjera.
Indira Kartallozi nga organizata Sustainability Leadership Kosova (SLK), e cila merret me çështje ambientale, thotë se planet konkrete për largim nga qymyri përbëjnë zhvillim pozitiv në këtë fushatë.
“Gjithsesi, mbyllja e termocentraleve dhe ndalimi i krijimit të energjisë nga qymyri, pa dyshim do të kishte ndikim pozitiv (kundër ndotjes së ajrit)”, thotë ajo.
Megjithatë, sipas saj, duhen zhvilluar edhe plane që inkurajojnë prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtërishme edhe në amvisëri.
“Sistemet solare janë një trend global dhe çdo shtëpi ka të drejtë të krijojë sistemin e saj. Energjia e erës është, gjithashtu, një potencial i madh, por kërkon investime të mëdha”, thotë ajo.
TOKA
Plastikë, mbetje organike e deri te mbetjet medicinale, janë materiale që mund të hasen të përziera nëpër deponitë shtetërore të mbeturinave në Kosovë.
Kjo pasi në vend nuk ekziston ende ndonjë sistem i mirëfilltë i ndarjes së mbeturinave apo riciklimit të tyre, që sipas të dhënave aktuale, është në shkallën rreth 5 për qind.
“Hedhim çfarëdo që bëhet, pampersa [pelena], letra, shishe, por jo nga ushqimi, asgjë nuk hedhim në shportë. Të gjitha tjerat (i hedhim në shportë)”, i kishte thënë Radios Evropa e Lirë Raza Krasniqi, banore e fshatit Breznicë në Obiliq në një reportazh të realizuar në fund të vitit 2024.
Jo shumë larg prej vendit ku banon Raza, në fshatin Palaj të Obiliqit, banorët përballen për së afërmi me pasojat e mosndarjes së mbeturinave.
Sërxhan Milliq ndjen çdo ditë kundërmimin që buron nga deponia e Mirashit, që është vendgrumbullimi më i madh i mbeturinave në vend, rreth 500 metra larg shtëpisë së tij.
“Po të mos i hidhnim qeset plastike (në vendgrumbullim) dhe najlonin, mbase do të ishte ndryshe të jetonim këtu, nuk do të kundërmonte aq shumë”, i tha ai Radios Evropa e Lirë, në nëntor të vitit 2024, duke aluduar në erën e plastikës që ndonjëherë merr flakë në deponinë e Mirashit. / REL
Shkrimin e plote mund ta lexoni KETU: