Politizimi i dëshmorëve: Sveçla bën Afrim Bunjakun hero të VV-së
Me krejt fuqinë e zërit e nis ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thirrjen e emrit Afrim Bunjaku.
Përcillet edhe nga kryeministri Albin Kurti, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq e ish-kryetari i Jugut, Agim Bahtiri.
Krejt këta nga Lëvizja Vetëvendosje, e që po e duan edhe një mandat, votat në tubimin e Mitrovicës i kërkuan duke përmendur emrin e policit që ra në detyrë më 24 shtator të 2023-ës, gjatë sulmit terrorist në Banjskë, raporton Klan Kosova.
Jo veç në këtë tubim të Mitrovicës, por edhe në Vushtrri, emri i heroit nuk lëshohet nga goja.
Madje, jo vetëm i tij, por edhe i heroit tjetër, Enver Zymberi.
Përmendja e heronjve në fushata zgjedhore, sipas një ish-ministri të Punëve të Brendshme, është keqpërdorim veç për poenë politikë.
E Nuredin Ibishi nga LDK thotë se Vetëvendosje e ka shkelur betimin e deputetit.
I njëjti pohon se duhet të merren masa nga KQZ-ja, si ndaj individëve ashtu edhe ndaj partisë në fjalë. /klankosova