Luftiu ftohet nga Prokuroria në Serbi për protestën e gushtit në Bujanoc
Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Nevzad Lutfiu, ka njoftuar se ka marrë ftesë nga Prokuroria e Shtetit në Serbi për vendosjen e bilbordeve për protestën e organizuar në Bujanoc në gusht të vitit të kaluar.
Në një shkrim në Facebook, Nevzad Lutfiu ka bërë të ditur se më 25 dhjetor ishte ftuar të paraqitej në stacionin policor në Bujanoc, e se aty kishte kuptuar për nisjen e procedurave ndaj tij me pretekstin se s’ka pasur leje për organizim të protestës.
Lutfiu ka thënë se ka refuzuar përgjigjen në stacion policor për shkak të mosrespektimit të procedurës së thirrjes dhe se tani është ftuar direkt nga Prokuroria për paraqitje për intervistë më 14 shkurt.
“Protesta jonë është parë me llupë, ndërsa thirrjet e huliganëve për të na likuiduar nuk i bëjnë përshtypje sistemit të drejtësisë. Kjo përndjekje nuk më demotivon aspak, përkundrazi më motivon që të vazhdoj rrugën e qëndresës dhe organizimit”, ka shkruar ai.
Shqiptarët në Luginë të Preshevës i kanë zhvilluar disa protesta, duke kërkuar që të mos diskriminohen nga autoritetet e Serbisë.