Mungesa e një mbikalimi rrezikon jetën e banorëve që detyrohen të kalojnë magjistralen Prishtinë - Mitrovicë [foto]
Në magjistralen Prishtinë - Mitrovicë, në fshatin Dumnicë e Poshtme, banorët dhe udhëtarët përballen me një problem serioz të sigurisë rrugore. Pavarësisht lëvizjeve të shumta në këtë segment rrugor, aty mungon një mbikalim për këmbësorë dhe stacion autobusi.
Kjo situatë i detyron qytetarët të kalojnë mbi mbrojtëset metalike të rrugës, duke rrezikuar jetën e tyre, shkruan Zeri.info.
Fotografitë tregojnë se si qytetarët janë të detyruar të improvizojnë zgjidhje për të kaluar rrugën, çka e bën edhe më të dukshme nevojën për një ndërhyrje urgjente nga autoritetet përgjegjëse.
Banorët para disa dite kanë protestuar dhe kërkojnë që të kenë qasje në rrugë duke ia mundësuar atë përmes një rrethrrotullimi apo nënkalimi.
Ndryshe, me një vlerë kontrate prej 25 milionë euro, projekti për autostradën Prishtinë- Mitrovicë financohet nga huamarrja nga Fondi i OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar (OPEC Fund) në bashkëfinancim me Fondin Saudit për Zhvillim (Saudi Fund for Development SFD). /Zëri