Policia e Gjilanit apelon qytetarët: Respektoni rregullat e trafikut dhe shmangni përdorimin e telefonit
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan në vazhdën e implementimit të planeve operative për siguri në trafik ka shqiptuar 1364 gjoba.
Gjatë kësaj periudhe në kuadër të këtyre planeve janë ndërmarrë aktivitete edhe në hetim të 11 aksidenteve të trafikut me dëme materiale, hetim i nëntë aksidenteve të trafikut me të lënduar dhe janë shqiptuar masa e ndalim drejtimit të mjeteve motorike për 32 ngasës.
Ndryshe, Policia ua bën me dije shoferëve se gjatë kohës së drejtimit të automjeteve ndalohet mbajtja e telefonit të dorës.
“Në përputhje me Ligjin për rregullat në trafikun rrugor, ua kujtojmë të gjithë shoferëve të mjeteve me veprim motorik se gjatë kohës së drejtimit i ndalohet mbajtja e telefonit të dorës dhe pajisjeve të tjera, të cilat do ta zvogëlonin mundësinë e reagimit dhe drejtimit të sigurt të mjetit”, thuhet në njoftimin e Policisë.