KPM-ja thotë se zgjedhja kryetarit të ri u bë në përputhje me ligjin
Komisioni i Pavarur për Media [KPM], ka reaguar pas raportimeve për zgjedhjen e kryetarit të ri të këtij institucioni.
Sipas KPM-së, zgjedhja e Besnik Berishës ishte në pajtim me ligjin, transmeton Zeri.info.
Sqarimi i plotë nga KPM:
Lidhur me informatat e plasuara në publik sa i përket zgjedhjes së z. Besnik Berisha si Kryetar i KPM-së, njoftojmë publikun se Rregullorja e Punës e KPM-së, e hartuar fillimisht në vitin 2012, dhe e amandametuar në vitin 2014, 2018 dhe tani në 2025, është bërë në pajtim me të njëjtin Ligj të KPM-së ( Ligji nr. 04/l-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave).
Rregullorja e Punës e KPM-së nuk ka qenë asnjëherë në diskutim publik. Është interpretim i qartë ligjor që aktet e brendshme institucionale që rregullojnë procedurat e brendshme të punës së institucionit dhe që nuk rregullojnë ose përcaktojnë në çfarëdo forme marrëdhëniet me palët e jashtme (pra në këtë rast mediat e licencuara dhe publikun) nuk vendosen në diskutim publik.
Pra janë të vetmit anëtarët e KPM-së që kanë të drejtën dhe mund të ndryshojnë Rregulloren e Punës në çdo kohë. Gjithashtu edhe zgjedhja e Kryetarit bëhet ekskluzivisht nga anëtarët e Komisionit si e drejtë dhe obligim ligjor i tyre.
Është obligim i anëtarëve të Komisionit që brenda kapaciteteve të tyre, të bëjnë gjithë çfarë është e mundur që KPM të funksionojë në mënyrë sa më efikase dhe efektive, e që ndër të tjera nënkupton edhe evitimin e krijimit të vakumit institucional, pra në rastin konkret mungesën e Kryetarit dhe Nënkryetarit. Përveç tjerash, zgjedhja e Kryetarit mundëson që me ardhjen e vetëm një anëtari të ri të KPM-së të krijohet kuorumi i duhur për mbajtjen e mbledhjeve të rregullta. Në të kundërtën, duhet pritur ardhjen e dy anëtarëve të rinj, e që nga praktika e zgjedhjes së tyre mund të ketë raste me diferencë kohore disa mujore ose dhe vjetore.
Zgjedhja e Kryetarit përveç që rrit efikasitetin dhe shton kredibilitetin e KPM-së, gjithashtu shton edhe gjasat për shkurtimin e kohës kur KPM do të jetë në gjendje të ketë kuorumin e duhur për të marrë vendime.
Një praktikë e tillë e zgjedhjes së Kryetarit të ri të KPM-së para skadimit të mandatit të Kryetarit në detyrë është regjistruar edhe më herët respektivisht ri-zgjedhja e z.Adnan Merovcit me datë 09.03.2016, e që nuk ka pasur asnjë paqartësi. Kjo paraqet një historik institucional dhe precedent të ngjashëm, sa i përket funksionimit dhe punës së Komisionit.
Insistimi nga jashtë për të influencuar vendimmarrjen e KPM-së në drejtimin e lënies së qëllimshme vakante të pozitës së Kryetarit, përveç që është në kundërshtim me nenin 6 të Ligjit për KPM-në (Pavarësia e KPM-së), poashtu rrezikon dobësimin e KPM-së si rregullator të medieve dhe rrit gjasat që krijimi i kuorumit të domosdoshëm për marrjen e vendimeve të ketë vonesa të panevojshme dhe që me zgjedhjen e kryetarit janë evituar.
KPM-ja është e shqetësuar nga raportimet e medieve për “shkarkim” në mënyrë të paparalajmëruar dhe të befasishme të ish-Kryetarit të kaluar. Për hir të sqarimit dhe transparencës ndaj medieve dhe qytetarëve, KPM informon se çështja e zgjedhjes së Kryetarit/Nënkryterit të ri është adresuar në dhjetor 2024 dhe diskutimet kanë vazhduar gjatë gjithë muajit janar 2025 deri në mbledhjen e 17 janarit 2025. Kërkesa formale për ndryshim të rregullores është bërë me 5 janar 2025. Ish-Kryetari është dakorduar me datën 13 janar 2025 që të procedohet me zgjedhjen e Kryetarit gjatë mbledhjes, përkundër që pika e zgjedhjes së kryesisë se re nuk ishte përfshirë në agjendë siç ishte kërkuar nga shumica e anëtarëve të KPM-së.
Rrjedhimisht, raportimet e mediave për “shkarkim” të “paparalajmëruar/të befasishëm” kanë qenë lajme të paverifikuara dhe të njëanshme që në mënyrë të padrejtë e kanë akuzuar KPM-në për ndikim politik.