Maqedonci dhe Jashari pritën në takim kontingjentin e FSK-së
Foto: Facebook

Maqedonci dhe Jashari pritën në takim kontingjentin e FSK-së

Aktuale January 23, 2025 - 12:30

Forca e Sigurisë së Kosovës njofton se komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqendonci, pritën në takim kontingjentin e FSK-së, i cili do të marrë pjesë në operacionin “Interflex”, që do të realizohet në Mbretërinë e Bashkuar, për të trajnuar trupat ukrainase.

Sipas njoftimit, komandanti i FSK-së kërkoi nga kontingjenti i FSK-së që të tregojnë profesionalizëm, përkushtim dhe disiplinë, në mënyrë që ky kontingjent ta përfaqësojë sa më mirë Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Republikën e Kosovës.

“Operacioni ‘Interflex’ është operacion shumëkombësh me qëllim të përgatitjes dhe aftësimit të ushtrisë ukrainase në luftën e tyre për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial ndaj agresionit rus”, thuhet në njoftim.

Gjatë këtij operacioni gjashtëmujor të udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar, pjesëtarët e FSK-së së bashku me ushtarakë nga vendet e tjera do të angazhohen si instruktorë në trajnimin e Forcave të Armatosura të Ukrainës në detyra të ndryshme luftarake.