Delegacioni i KiE-së: Bojkoti i LVV-së ndaj mediave i dëmshëm, ka shqetësime për retorikë nacionaliste e populiste
Një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), pas vizitës që ka zhvilluar në Kosovës, ka vlerësuar përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, ndërsa u ka bërë thirrje të gjitha partive politike në Kosovë të veprojë me përgjegjësi e në dobi të popullatës.
Ky delegacion e ka konsideruar të dëmshëm vendimin e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje për të bojkotuar tri kanale televizive gjatë fushatës zgjedhore.
“Ngurrimi i disa partive politike për t’u përfshirë në debate kontradiktore në televizion dhe bojkoti i shpallur i tre stacioneve televizive të njohura nga partia në pushtet, u konsideruan të dëmshme për informimin publik, veçanërisht për të moshuarit. Delegacioni kujton se media luan një rol jetik për të siguruar që votuesit të kenë qasje në informacione të ndryshme dhe të sakta, të cilat janë thelbësore për marrjen e vendimeve”- thuhet në komunikatë.
Delegacioni tutje ka theksuar se fushata elektorale është zhvilluar në një mënyrë të qetë dhe paqësore.
Ndërsa është bërë e ditur se ky delegacion u informua se Ligji për zgjedhjet i miratuar në vitin 2023, kryesisht bazohet në rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë, me përmirësime teknike, duke përfshirë digjitalizimin e operacioneve zgjedhore, mundësinë që iu dha votuesve jashtë vendit për të hedhur votën e tyre personalisht jashtë vendit dhe modalitete të reja për numërimin e votave të ndara për partitë dhe kandidatët.
“Gjithashtu, rregulloret e reja që synojnë forcimin e monitorimit të shpenzimeve të fushatës janë parë pozitivisht nga shumë palë të interesuara”- thuhet tutje në komunikatë.
Ndërsa thuhet se delegacioni ka ngritur shqetësime në lidhje me mungesën e rregulloreve për mediat online, transparencën e pronësisë së medias, procedurën e emërimit të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Medias, si dhe ndikimin e mundshëm të dezinformatave dhe përdorimit të inteligjencës artificiale gjeneruese gjatë fushatës.
Megjithatë, disa bashkëbisedues ngritën shqetësime për rritjen e retorikës populiste dhe nacionaliste, si dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës përçarëse.
“Delegacioni vlerësoi gjithashtu kontributin e vlefshëm të një shoqërie civile të gjallë në nxjerrjen në pah të çështjeve si të drejtat e grave, personave me aftësi të kufizuara, LGBTI dhe grupet e margjinalizuara si dhe pjesëmarrja e të rinjve në politikë”, thuhet në komunikatë.
Tutje, delegacioni ka mirëpritur vendimin e partisë kryesore politike serbe të Kosovës për të marrë pjesë në këto zgjedhje, duke theksuar se kjo do të kontribuonte në një proces zgjedhor më gjithëpërfshirës dhe do të rriste përfaqësimin në Kuvend.
Ndërsa thuhet se diskutimet u fokusuan edhe në situatën në veri të Kosovës dhe zhvillimet e fundit.
“Delegacioni u njoftua për raportet në lidhje me presionin dhe frikësimin e votuesve serbë të Kosovës si dhe fushata dezinformuese nga mediat e mbështetura nga Beogradi. Në dritën e këtyre shqetësimeve, delegacioni u kërkon të gjitha palëve të shmangin veprimet që mund të përkeqësojnë tensionet”, thuhet në komunikatë.
Delegacioni u bëri thirrje të gjitha palëve që të mbeten të përkushtuara për krijimin e kushteve për zgjedhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse, pavarësisht polarizimit në rritje dhe të sigurojnë që këto zgjedhje të kontribuojnë në forcimin e standardeve dhe praktikave demokratike në Kosovë.
Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 përbëjnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.
Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.
Partia Lëvizja Vetëvendosje mori vendim bojkotimin e tre televizioneve në vend, televizionin T7, Dukagjinin dhe Klanin. Gjithashtu ka bojkotuar debatet publike në Kallxo.