Rushiti: Nominimi për Çmimin Nobel, mundësi që krimet e luftës të njihen globalisht
Feride Rushiti dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025.
Nominimi u bë nga deputeti i Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson, i cili, në një letër dërguar Komitetit të Institutit Norvegjez të Nobelit, theksoi se ky vendim u mor për të njohur “kontributet e jashtëzakonshme” të Rushitit dhe QKRMT-së “në avancimin e të drejtave të njeriut, dinjitetit të të mbijetuarve dhe shërimin e plagëve të luftës të komuniteteve”.
Feride Rushiti ndau për euronews.al mendimet e saj për këtë arritje të rëndësishme duke e cilësuar si një mundësi të mirë që krimet e luftës në Kosovë të njihen globalisht. Ajo tha se nuk kishte pasur informacione paraprake për nominimin duke theksuar se fillimisht ajo kishte pasur një takimi rastësor me deputetin Jacobsson në verën e vitit 2022, në kuadër të takimeve me ndërkombëtarët, ku ndajnë përvojat dhe diskutojnë për sfidat që hasin.
“Gjatë një bashkëbisedimi në Zoom me stafin e organizatës, mësova për nominimin dhe më pas më informoi dhe ambasadorja e Kosovës në Suedi, gjithashtu lajmi u përhap në media dhe rrjete sociale”, tha Rushiti.
Ajo tha se ky është një vlerësim nga më të lartit që mund t’i bëhen një individi dhe kauzës që përfaqëson, duke shtuar se ky është një moment krenarie jo vetëm për të, por edhe për shoqërinë kosovare.
“Është një mundësi për të nxjerrë në pah këtë kauzë në një nivel ndërkombëtar dhe për të siguruar që krimet e luftës të njihen globalisht”, shtoi ajo.
Ky nominim është një njohje e rëndësishme për punën e palodhur të Feride Rushitit dhe QKRMT-së në mbështetje të të mbijetuarve të torturës dhe viktimave të luftës në Kosovë.