Ramadani: Haradinaj po bën punë të mirë në Amerikë, anëtarësimi në NATO është mbi gjithçka

Ramadani: Haradinaj po bën punë të mirë në Amerikë, anëtarësimi në NATO është mbi gjithçka

Aktuale January 20, 2025 - 13:52

Ish-kryeinspektori i përgjithshëm i AKI-së, njëherësh njohës i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, ka shkruar në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook se Kosova duhet ta shfrytëzojë inaugurimin e Donal Trump si president i SHBA-së, për të lobuar që vendi të anëtarësohet në NATO.

Ramadani shtoi se kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj po bën punë të mirë në Amerikë për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Postimi i plotë:

Ramush Haradinaj po bën mirë në Amerikë, anëtarësimi në NATO është mbi gjithçka.

Ky objektiv duhet të jetë në qendër të platformës politike të Kosovës, duke bashkuar të gjitha institucionet shtetërore, partitë politike, shoqërinë civile dhe profesionistët në vend. Në çdo platformë ndërkombëtare, përfshirë edhe ngjarje të rëndësishme si inaugurimi i Presidentit të SHBA-së, Kosova duhet të përçojë me vendosmëri këtë mesazh të qartë dhe të vendosur.

Anëtarësimi i Kosovës në NATO, përmes një procesi të përshpejtuar (“fast track”), nuk është thjesht një mundësi reale që duhet shfrytëzuar, por edhe një domosdoshmëri strategjike. Politika e dyerve të hapura të NATO-s e krijon këtë hapësirë.