Ish-këshilltari i UNMIK-ut thotë se pranonin raporte për krime nga anëtarët e UÇK-së
Hansjoerg Strohmeyer ka pohuar se pranonin raporte për krime që pretendohej se anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i kryenin në kohën kur ai ishte si këshilltar juridik në Administratën e Përkohshme të UNMIK-ut që ishte në Kosovë.
“Edhe njëherë, edhe në këtë rast nuk është se më kujtohet ndonjë rast konkret. Megjithatë, këto ishin llojet e raporteve që ne merrshim aso kohe”, tha Strohmeyer, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Prokurorja Vega Iodice ia prezantoi fillimisht dëshmitarit disa shënime të cilat sipas saj thonë se ka pasur raportime të rrahjeve dhe kidnapimeve nga anëtarët e UÇK-së.
Veç kësaj, Strohmeyer pohoi se në javët e para të vendosjes së tyre në Kosovë kishin vështirësi në ushtrimin e mandatit.
“Javët e para të vendosjes tonë sikurse e shpjegova edhe më herët, të nderuar gjykatës në fillesa ishte e vështirë për të ushtruar mandatin tonë dhe ne kishim frikë që në fakt nuk do ta ushtronim dot funksionin tonë dhe kishim përshtypje që për shkak të zhvillimeve mbase nuk do ta kishim të mundur që të krijonim një administratë civile në Kosovë”, tha ai.
Dëshmitari tha se në kohën kur ka qenë në Kosovë, ka vizituar një apo dy herë Pejën.
“Në njërën prej herëve kemi shkuar për të diskutuar çështje konkrete dhe sikur që e kam thënë në një pjesë të deklaratës sime: një mënyrë për të matur procesin ose për të qenë i dukshëm që UNMIK-u ishte i pranishëm dhe për të dhënë kontributin e vet për sigurinë dhe rendin ishte që të caktohej shumë shpejt një grup mobil dhe një trup gjykatësish për emergjencat dhe nuk mund të them nëse bëhet fjalë për këto rastet që shkruhen në raport. Nuk e di nëse janë këto rastet që kanë bërë të mundur shkuarjen time në Pejë, por unë vetë nuk kam qenë pjesë e paneleve se nuk ka qenë detyra ime që të shkoja si gjykatës i përkohshëm apo si pjesë e paneleve të tilla, por jam i sigurt që këta gjykatës kanë shkuar dikur eventualisht në terren”, tha Strohmeyer.
Ndërsa, për pjesën tjetër të pyetjeve, prokurorja kërkoi seancë private, me arsyetimin se dokumentet që do të diskutohen i nënshtrohen rregullës kufizimeve sipas rregulloreve. Kjo gjë u aprovua nga trupi gjykues.