Sot varroset dëshmori Xheladin Kabashi, eshtrat e të cilit u identifikuan më 15 janar
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjeturit, Andin Hoti, ka thënë se sot mbahet ceremonia rivarrimit të eshtrave të Xheladin Kabashit, të cilat u konfirmuan më 15 janar në Prekaz në bazë të hulumtimeve dhe raporteve analitike që janë bërë.
Në një postim në Facebook, Hoti ka theksuar se më 15 janar 2025, familja e Xheladin Kabashit është njoftuar për identifikimin e tij, i cili ishte në listën e personave të zhdukur që nga lufta në Kosovë.
“Në nëntor 2023, Komisioni bashkë me Policinë e Kosovës dhe IML, ka zhvilluar gërmimet në lokacionin Prekaz, duke u bazuar në hulumtimet dhe raportet analitike. Me ç’rast janë gjetur trupat e 6 individëve”.
“Eshtrat e Xheladin Kabashit, të zhvarrosura nga lokacioni në Prekaz, u konfirmuan përmes procesit të identifikimit ADN. Ky është rasti i 5-të i identifikuar nga ky lokacion”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se varrimi do të mbahet tek varrezat e dëshmorëve në Polac.