Elezi: Disa pako me fletëvotime që janë dërguar direkt në përfaqësitë diplomatike, nuk konsiderohen të rregullta
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka dhënë një udhëzim të rëndësishëm të gjithë votuesve jashtë Kosovës për të cilët ka filluar procesi i votimit përmes postës për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se në bazë të procedurave, votuesit nuk duhet t’i dërgojnë pakot e tyre me fletëvotim në ambasada apo konsullata, pasi që ligji nuk e njeh këtë mënyrë votimi.
“Të gjithë shtetasit e Kosovës për të cilët ka filluar procesi i votimit përmes postës, duhet të dërgojnë pakon e tyre me fletëvotim vetëm në adresë të ndonjërës nga kutitë postare. Pako me fletëvotime e cila dërgohet direkt në përfaqësinë diplomatike, ashtu siç ka ndodhur në disa raste deri më tani, nuk mund të procedohen si të rregullta”, ka thënë Elezi.
Më 9 janar 2025, ka filluar periudha 31 ditore e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës dhe që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi.
Kjo periudhë (9 janar – 8 shkurt 2025) do të vlejë vetëm për shtetasit që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe që gjatë regjistrimit janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit:
• duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo
• duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. /rtk