Kina do “zgjidhje të qëndrueshme” Kosovë - Serbi përmes dialogut të Brukselit

Kina do “zgjidhje të qëndrueshme” Kosovë - Serbi përmes dialogut të Brukselit

Aktuale January 17, 2025 - 14:34

Kina dëshiron që zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.

Kështu është shprehur zëdhënësi i MPJ-së kineze, Guo Jiakun, gjatë një konference të rregullt me gazetarë, raporton Klankosova.tv.

“Shpresojmë se palët relevante do të vazhdojnë të angazhohen në dialog praktik dhe konstruktiv në kuadër të rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të kërkojnë në mënyrë aktive një zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e Kosovës”, u shpreh Jiakun kur u pyet në lidhje me mbylljen e institucioneve paralele serbe në Kosovë, në një aksion policor që u zhvillua më 15 janar, raporton Klankosova.tv.

Ai tha se sa i përket çështjes së Kosovës, “Kina respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë” dhe beson se të drejtat ligjore dhe interesat e serbëve në Kosovë duhet të mbrohen.

“Veprimet e njëanshme nuk janë të favorshme për zgjidhjen e çështjes dhe do të ndikojnë në sigurinë dhe stabilitetin në rajonin e Kosovës”, ka theksuar ai.

Policia e Kosovës njoftoi për zhvillimin e një aksioni të gjerë, ku u tha se cak kishin institucionet paralele serbe në Kosovë.

Por Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se nuk e ka autorizuar atë operacion, pasi s’ka pasur kërkesë zyrtare.

Astrit Kolaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se operacioni nuk është zhvilluar me urdhër të Prokurorisë dhe se ky veprim është në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.

Ky kod, sipas tij, parasheh rastet kur policia mund të veprojë pa urdhër të tillë dhe ato kanë të bëjnë me “veprat penale në flagrancë”.

“Në flagrancë nënkupton kur polici qëllon në vendin e ngjarjes dhe nuk ka kohë ta marrë aprovimin e prokurorisë dhe vepron aty për aty, për të ndaluar një veprim që mund të jetë kundërligjor. Por, ai detyrohet që në retrospektivë, ta marrë edhe pëlqimin e prokurorisë”, shpjegon Kolaj për Radion Evropa e Lirë.

“Në rastin e djeshëm [15 janar], Policia e Kosovës nuk e ka respektuar hierarkinë ligjore dhe hierarkinë institucionale, të paraparë me aktet ligjore në fuqi në Kosovë”, thekson ai.

Edhe eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, i cili ka shërbyer si ligjvënës në Kuvendin e Kosovës, thotë se policia është dashur ta informojë prokurorin publik, i cili, pas kualifikimit të veprës, do të jepte urdhër për ndërmarrjen e veprimeve policore.

Por, pavarësisht kësaj, ai thotë se siguria në mjediset ku ka vepruar policia, nuk është rrezikuar.

“Nuk ka pasur rrezik në aspektin e sigurisë, por shkelje të kornizës ligjore dhe mandatit të institucioneve të pavarura të Kosovës”, sipas Ibishit.