ZPS-ja s’e përmbushi në kohë detyrimin ndaj mbrojtjes së Shalës për nxjerrjen e materialeve të një dëshmitari
Paneli i Apelit i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë ka konstatuar se Prokuroria nuk e ka përmbushur detyrimin e saj ndaj mbrojtje për nxjerrjen e materialit në lidhje me një dëshmitar.
Kjo u bë e ditur gjatë konferencës javore të DHSK-së, nga zëdhënësja Angela Griep, e cila tha se ky vendim doli nga kërkesa e mbrojtjes për të urdhëruar Prokurorinë që të nxjerrë për ata të gjitha deklaratat dhe dëshmitë e një dëshmitari, dëshminë e të cilit sipas tyre përfshinte prova relevante për argumentet e mbrojtjes.
Si rrjedhojë, Griepi tha se mbrojtja kishte kërkuar nga Apeli që të konstatonte se Prokuroria nuk i kishte përmbushur detyrimet për nxjerrjen e materialit dhe ta merrte këtë gjë parasysh gjatë vlerësimit në Apel të argumenteve të Shalës së gjykimi ndaj tij ishte i padrejtë.
“Paneli i Apelit konstatoi se Prokuroria nuk kishte përmbushur në kohë detyrimin për nxjerrje të materialit në lidhje me këtë dëshmitar”, tha Griepi.
Megjithatë, sipas Griepi paneli kishte rikujtuar se si rregull apelet ndaj aktgjykimeve nuk janë mënyra e duhur për të paraqitur shkeljet në nxjerrjen e materiali të identifikuar gjatë procesit të apelimit.
“Megjithatë Paneli rikujtoi se, si rregull, apelet ndaj aktgjykimeve nuk janë mënyra e duhur për të paraqitur shkelje në nxjerrjen e materialit të identifikuara vetëm gjatë procesit të apelit, sepse ato normalisht përqendrohen në kundërshtime ndaj konstatimeve të bëra nga një trup gjykues i shkallës më të ulët. Paneli rikujtoi se këtu bëhet fjalë për aspektin nëse Mbrojtja mund të vërtetojë se kjo shkelje në nxjerrjen e materialit i shkaktoi dëm z. Shala. Në lidhje me këtë, Trupi Gjykues theksoi se Mbrojtja i ka dorëzuar tashmë Panelit të Apelit një mocion më vete që aktualisht është duke u shqyrtuar dhe në të cilin trajtohen aspektet përkatëse lidhur me dëmin dhe relevancën e provave në fjalë”, tha tutje Griepi.
Më 16 korrik 2024 Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim.
Griepi foli edhe për çështje të tjera duke përfshirë edhe rastin e Thaçit për pengim të drejtësisë ku njoftoi se i akuzuari Bashkim Smakaj është deklaruar i pafajshëm më 3 janar 2025, dokument i cili u bë publik me 14 janar 2025.
Ndërsa në atë për krime lufte, më 13 janar iu është vazhduar masa e paraburgimit Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit pasi sipas trupit gjykues ka rrezik që të pengohet administrimi i drejtësisë.
Veç kësaj, Griepi njoftoi se në këtë çështje kanë dëshmuar tre dëshmitarë gjatë kësaj jave ku dy prej tyre ishin të hapur dhe një i mbyllur.
William Goodwin, si dëshmitar ekspert foli për aspekte lidhur me identifikimin përmes ADN-së. Ndërsa, për dëshmitarin e dytë, zëdhënësja e DHSK-së tha se palët u pajtuan që dëshmitë e mëparshme të këtij dëshmitari të pranohen me shkrim në vend të dhënies dëshmi në sallën e gjyqit.
Ky dëshmitar, i cili ishte i përfaqësuar nga avokati Arianit Koci, ishte Sokol Dobruna dhe se kjo pajtim mes palëve për deklaratat e tij erdhi për arsyeje se ai pati shumë probleme me kujtesën gjatë dëshmisë së tij. Ai dëshmoi përmes videolidhjes.
Përmes video-lidhjes dha dëshmi edhe dëshmitari i tretë, i cili sipas ZPS-së ishte arrestuar nga anëtarë të UÇK-së, të cilët e kishin keqtrajtuar.
Griepi njoftoi se seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet të hënën më 20 janar 2025, duke filluar nga ora 9:00, me 45 minuta vonesë në transmetim. /BetimipërDrejtësi