Brenda një dite PZAP-i gjobiti partitë me 35 mijë euro
Brenda një dite Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 35 mijë eurove ndaj partive politike për shkelje gjatë fushatës zgjedhore.
Gjoba më e lartë e shqiptuar është në vlerë 20 mijë euro, kurse afati për shlyerjen e tyre është 15 ditë nga plotfuqishmëria e vendimit.
Por cilat janë partitë që u gjobitën dhe arsyet?
Të shtunën ka filluar zyrtarisht fushata për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt. Prej asaj dite partitë politike çdo ditë kanë mbajtur tubime. Por, gjuha e përdorur në to, disa prej partive u ka kushtuar shtrenjtë.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa gjatë ditës së djeshme ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 35 mijë eurove për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për subjektet politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët.
Lidhja Demokratike e Kosovës është gjobitur me 20 mijë euro, pas një ankese nga Lëvizja Vetëvendosje. Këtë shumë, LDK-ja ka afat ta paguajë për 15 ditë.
LVV-ja ka pretenduar se kandidatja për deputete e LDK-së, Xheneta Syka, me shpërndarjen e një videoje ka krahasuar kryeministrin Albin Kurti me Adolf Hitlerin.
Në përgjigje, LDK-ja ka kundërshtuar ankesën, duke thënë se origjina apo burimi i fotos së bashkëngjitur në ankesën e LVV-së, është e përpunuar dhe postuar nga krejt dikush tjetër dhe jo nga kandidatja e tyre dhe se kësisoj nuk mund të ketë masë sanksionuese.
Mirëpo, PZAP-i thotë se pas hulumtimit e ka gjetur këtë video në faqen e një portal lokal dhe se përdorimi i një gjuhe të tillë është në kundërshtim me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
LVV-ja ka dorëzuar ankesë edhe ndaj Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. PZAP-i për këtë ankesë e ka gjobitur AAK-në me 12 mijë euro.
“Detyrohet subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me seli në Prishtinë, që gjobën e shqiptuar si në pikën II të dispozitivit të këtij vendimi, ta paguajë në afat prej 15 ditëve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi”, thuhet në vendim.
Ankesa pretendon se kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, “ka drejtuar akuza të baza dhe të pavërtetuara”, duke iu drejtuar me fjalët “duhet me hekë mashtruesin” dhe “dojmë po ashtu me rrit mbrojtjen, nuk dojme me bo lojna me sigurinë nacionale pas shpinës së aleatëve tonë, e në interes të Rusisë e Serbisë nga argati i tyre” dhe “shko Albin te prokurori, se nuk po dojmë me u vjedhë rezervat shtetërore, buka e ushtarit, as te energjia, shko te prokurori bashkë me hajnat se je shef i hajnave”.
Në vendim përmendet edhe një deklaratë e kandidatit Ardian Gjini, ku pretendohet se thotë “është byro e korrupsionit”.
AAK-ja në përgjigje ka kundërshtuar ankesën duke thënë se e gjithë ankesa është parashtruar mbi bazën e një lajmi të publikuar në një medium ku është parafrazuar.
“Pra kryetari i Subjektit politik AAK, Ramush Haradinaj, në asnjë pjesë të fjalimit të tij politik të datës 12.01.2025 nuk ka përdorur shprehjet e specifikuara në ankesë”.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar ankesë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, për çka PZAP-i e ka gjobitur LVV-në me 3 mijë euro.
Ankesa e LDK-së është për deklarimet e kreut të LVV-së, Albin Kurti, gjatë tubimit në Pejë, se ka përdorur terme pezhorative për këtë parti.
LDK-ja ka dorëzuar tri video, ku pretendon se “shihet qartë gjuha nxitëse, provokuese, denigruese, fyese e nënçmuese, terme pezhorative, përbuzje dialektike, provokime direkte ndaj kundërshtarëve politik, me theks të veçantë Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Aty theksohet deklarata e Kurtit:
“Prandaj kur na rastit të dëgjojmë ndonjë udhëheqës të LËDËKYHIT që thotë se po i pëlqen populli, populli ka simpati për ta, kjo mi përngjan asaj mizës që thoshte kudo që po shkoj po më presin me duartrokitje….kur ata thonë që populli po i pëlqen ata është asi ajo miza që lëvdohej që njerëzit po e presin me duartrokitje e ju e dini shumë mirë që me ato duar që duartrokasin çfarë janë duke provuar t’i bëjnë asaj mizë”.
PZAP-i ka konstatuar se këto deklarata janë në kundërshtim me dispozitat ligjore. /EO