Krasniqi pret në takim shefen e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, Nathalie Loiseau

Krasniqi pret në takim shefen e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, Nathalie Loiseau

Aktuale January 16, 2025 - 12:37

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur sot (e enjte) në takim Nathalie Loiseaun, anëtare e Parlamentit Evropian dhe shefe e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EU EOM) në Kosovë.

Takimi u përqendrua në angazhimin e Kosovës për të siguruar zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e proceseve demokratike të vendit.

Kreu i PDK-së ka shprehur mirënjohjen e tij për Loiseaun dhe EU EOM për rolin e tyre të rëndësishëm në mbështetjen e sistemit zgjedhor të Kosovës.

Krasniqi theksoi rëndësinë e misioneve të mëparshme të BE-së në mbështetjen e reformave zgjedhore, rritjen e transparencës dhe fuqizimin e besimit publik në procesin zgjedhor.

“Kosova është krenare për traditën e saj të organizimit të zgjedhjeve demokratike, të lira dhe transparente”, tha Krasniqi.

“Respektimi i vazhdueshëm i rezultateve zgjedhore reflekton pjekurinë dhe vlerat tona demokratike”, është shprehur ai.

Gjatë diskutimit u theksua gjithashtu Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përbën një moment historik në reformat zgjedhore të Kosovës. Kryetari Krasniqi theksoi se monitorimi dhe rekomandimet e misionit do të jenë thelbësore për vlerësimin e ndikimit të këtij ligji, identifikimin e përparësive dhe adresimin e çdo mangësie të mundshme.

Krasniqi ka siguruar Loiseaun për bashkëpunim të plotë me EU EOM për të garantuar suksesin e misionit.

Në takim gjithashtu është diskutuar tema si përfaqësimi i grave në proceset politike, lufta kundër gjuhës së urrejtjes dhe sfidat e shkaktuara nga lajmet e rreme. Krasniqi rikonfirmoi përkushtimin e PDK-së për të promovuar gjithëpërfshirjen dhe për të luftuar dezinformimin, duke siguruar një ambient zgjedhor të drejtë dhe të besueshëm.

Loiseau ka vlerësuar progresin e Kosovës dhe rikonfirmoi përkushtimin e BE-së për të mbështetur rrugëtimin demokratik të vendit.

Takimi nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit midis Kosovës dhe BE-së për forcimin e demokracisë dhe sigurimin e zgjedhjeve transparente që reflektojnë vullnetin e qytetarëve.