Shtatë vjet nga vrasja e Oliver Ivanoviqit, çfarë dihet deri tash?
Sot u mbushën shtatë vjet nga vrasja ende e pazbardhur e politikanit serb Oliver Ivanoviq me gjashtë të shtëna në shpinë, para objektit të partisë së tij Iniciativa Qytetare në Mitrovicë të Veriut.
Dy vjet para vrasjes, në vitin 2016 në Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës, Ivanoviqi u shpall fajtor dhe u dënua me 9 vjet burg për krime lufte dhe krime kundër popullatës civile në vitet 1999 - 2000.
Ivanoviqi nuk u dërgua në paraburgim, por ishte në arrest shtëpiak. Lidhur me këtë vendim, pati reagime dhe pakënaqësi nga pala e dëmtuar dhe familjarët. Gjithashtu, edhe njohës të drejtësisë në Kosovë e quajtën të padrejtë këtë vendim.
Në shkurt 2017, Gjykata e Apelit e Kosovës urdhëroi rigjykimin e Ivanoviqit, pasi ai u dënua me 9 vjet burg.
Rigjykimi filloi më 24 mars 2017, ndërsa më 21 prill Ivanoviqit iu hoq arresti shtëpiak dhe iu lejua të mbrohej në liri.
Ivanoviq ishte bartës i listës “Liria, Demokracia, Drejtësia – Oliver Ivanoviq” në zgjedhjet lokale të nëntorit 2017.
Lidhur me vrasjen e tij, më 23 nëntor 2018 në veri të Mitrovicës janë arrestuar katër të dyshuar.
Në vitin 2022 nisi procesi gjyqësor ndaj personave të dyshuar se ishin pjesë e grupit kriminal që organizoi likuidimin e Ivanoviqit.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 20 vjet burgim katër të akuzuarit në rastin e vrasjes së Ivanoviqit – Marko Roshiq 8 vjet burg për veprën vrasje e rëndë dhe 10.000 euro gjobë, Nedelko Spasojeviq 4 vjet e 6 muaj burg dhe 4 mijë euro gjobë, Dragisha Markoviq 4 vjet burg për bashkëkryerje në veprën penale vrasje dhe Zharko Jovanoviq 4 vjet burg për bashkëkryerje të veprës dhe 1.500 euro gjobë për posedim të armëve.
Serbia pa aktakuzë dhe gjyq
Në Serbi, hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit i zhvillon Prokuroria për Krim të Organizuar e Serbisë, e cila nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se në cilën fazë janë procedurat pas gjashtë vjetësh dhe çfarë informacionesh ka siguruar.
Më herët, ajo ka thënë se lënda është e klasifikuar.
Edhe Mirosllav Ivanoviq thotë se hetimet në Serbi janë “nën vellon e fshehtësisë” gjatë gjithë kohës.
Në pesëvjetorin e vrasjes, prokuroria i tha mediumit Insajder se “hetimet paraprake ndaj autorëve të paidentifikuar janë duke vazhduar ende”.
Në qershor të vitit 2023, ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratisllav Gashiq, deklaroi se autoritetet serbe“e dinë saktësisht” se kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin dhe se policia serbe është duke e kërkuar atë njeri nga autoritetet gjermane “nën mbrojtjen e të cilave është”.
Pasi Gjermania mohoi se mbron vrasësin e Ivanoviqit, Gashiqi tha se deklarata e tij është keqinterpretuar, duke u transmetuar pa pikëpyetjen që i jepte kuptim tjetër.
Duke iu përgjigjur REL-it në mes të vitit të kaluar në lidhje me këtë deklaratë të Gashiqit, prokuroria tha se nuk është deklaruar për masat e marra gjatë procedurës para-hetimore dhe se nuk do ta bëjë këtë as në të ardhmen.
Dy muaj më vonë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kërkoi falje Gjermanisë për deklaratën e Gashiqit.
Në përvjetorin e tretë të vrasjes së Ivanoviqit, në janar të vitit 2021, Vuçiqi tha se autoritetet serbe, prej muajsh tashmë, kanë një pasqyrë të plotë të atyre që do të kishin një motiv dhe mund të jenë të përfshirë.
“Por, ne nuk kemi mundur të jemi të pranishëm në hetime, kështu që nuk i kemi ato që do t’i quanim prova të drejtpërdrejta. Për këtë, duhet që disa nga materialet e hetimit t’i kemi në duar ose një pranim i drejtpërdrejtë nga njëri prej pjesëmarrësve”, tha Vuçiqi.
Ndërkaq, në mes të vitit 2019, ai tha se “Beogradi mendon se e ka emrin e vrasësit të Oliver Ivanoviqit”.
Duke iu drejtuar opinionit, Vuçiqi tha se Millan Radoiçiq “nuk ka lidhje me këtë krim”.
“Me siguri mund të themi se Radoiçiqi, në asnjë mënyrë, nuk ka marrë pjesë në likuidimin e Oliver Ivanoviqit”, tha presidenti i Serbisë në atë kohë.
Radoiçiq është në listën e zezë të SHBA-së për shkak të përfshirjes së tij në krimin e organizuar ndërkombëtar, ndërsa Kosova e kërkon për shkak të frikësimeve në procedurat gjyqësore, si dhe sulmit ndaj policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023. Radoiçiq e mori përgjegjësinë për atë sulm, në të cilin u vra polici kosovar, Afrim Bunjaku.
Kosova dhe Serbia nuk bashkëpunojnë kur bëhet fjalë për zbardhjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit dhe vëllai i tij, Mirosllavi, beson se ky bashkëpunim do të ishte vendimtar.
“Qoftë edhe një bashkëpunim i heshtur mes dy prokurorive, të Kosovës dhe të Serbisë, në mënyrë që të punohet në zbardhjen e kësaj vepre”, thotë ai.
Përderisa Kosova ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe shkëmbim informacionesh për ndriçimin e këtij rasti, nga ana e Serbisë kjo gatishmëri ka munguar”.
Astrit Kolaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, i cili përcjell procesin gjyqësor për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, kujton se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pasur një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe se ata kanë theksuar nevojën për t’u dhënë kohë të mjaftueshme organeve përgjegjëse, për ta kryer punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe profesionale.
Në raportet e këtij hulumtuesi, të cilat u publikuan në kuadër të monitorimit të 30 seancave, thuhet se kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë atëkohë, Ramush Haradinaj dhe Ana Bërnabiq, kanë pasur kontakte lidhur me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
“Përderisa Kosova, përmes ish-ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe shkëmbim informacionesh për ndriçimin e këtij rasti, nga ana e Serbisë kjo gatishmëri ka munguar”, thotë Kolaj.
Ai, po ashtu, kujton se fletarrestimi i Kosovës për Millan Radoiçiqin, për shkak të lidhjes së tij me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, është anuluar. Prokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, pranoi në një konferencë për media se e kishte dhënë pëlqimin për një gjë të tillë, por nuk i tregoi arsyet.
Kolaj, në bazë të monitorimit, konstaton se procesi gjyqësor në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit është “mjaft kompleks dhe i paqartë” dhe se marrëdhëniet e këqija ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë ndikuar në vetë rrjedhën e hetimeve dhe të procesit gjyqësor.